Gjiknuri: Në 25 Prill Vlora jep mesazhin se refuzon retorikën e dhunës


TIRANË, 15 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri shoqëruar nga deputeti Fate Velaj, kandidati për deputet Ervis Moçka dhe nënkryetari i bashkisë Afrim Qendro zhvilluan një takim me banorë të fshatit Trevllazër të njësisë administrative Novoselë.

Duke u ndalur tek infrastruktura e ndryshuar e fshatit Trevllazër në dy mandatet qeverisëse të Partisë Socialiste, Gjiknuri theksoi se këto ndërhyrje të nisura e shumë të tjera të parashikuara, në veçanti për zonat rurale në këtë mandat të tretë qeverisës nuk duhet të ndërpriten.

“Në këto vite i dhamë zgjidhje shumë shqetësimeve të komunitetit duke siguruar ndriçimin që ishte kthyer prej vitesh në gangrenë për zonën ndërsa u mundësua rehabilitimi total i rrugës së Trevllazërit. Rrjeti i ri i ujësjellësit do të zgjidhë përfundimisht dhe problemin e ujit të pijshëm për të gjithë zonën. Punët tona konkrete flasin vet, ndryshe nga partitë e tjera që nuk kanë bërë asgjë për ju. Është kjo arsyeja përse e kërkojmë mandatin e tretë, për t’i çuar përpara të gjitha projektet për zhvillimin e zonës. Projekti madhor për ndërtimin e aeroportit do të ndikojë edhe në ekonominë tuaj për faktin se ju jeni shumë pranë Vlorës dhe aeroporti do ta shtojë potencialin ekonomik të zonës suaj”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri u ndal dhe në vizitat e shpeshta të Presidentit Ilir Meta dhe deklarimet e tij të vazhdueshme nga Vlora.

“Asnjë vlonjat nuk e pranon dhe nuk e kupton këtë sjellje të Presidentit, në një kohë kur partia e tij, LSI, duhej të vijonte normalisht fushatën elektorale njësoj siç po bëjmë ne, duke shpalosur programe në mënyrë që të jenë vet vlonjatët atë që ta bëjnë diferencën, se kë duhet të besojnë e kë duhet të votojnë. Përballë këtyre sjelljeve të çakërdisura që nuk i kanë hije një Presidenti, vlonjatët duhet të jenë të vendosur për të mbështetur zhvillimin e Vlorës. Jam i bindur në vendosmërinë e vlonjatëve për të vërtetuar përmes votës në 25 Prill se Vlora e ka mbyllur kapitullin e trazirave dhe kërkon e meriton progresin e nisur”, theksoi Gjiknuri.

Kandidati për deputet, Ervis Moçka u ndal tek investimet infrastrukturore të realizuara në fshatin Trevllazër gjatë dy mandateve qeverisëse të Partisë Socialiste, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes masive përmes votes në 25 Prill për numrin 12, Partinë Socialiste, si garanci për vazhdim të gjithçkaje të nisur.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.