Fitorja e PS në 25 prill, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Kamëz, u shpreh se “fitorja në 25 prill e Partisë Socialiste nuk diskutohet dhe se ajo nuk ka qëllim politikanët, por të ardhmen e fëmijëve tuaj”.

“E di fitoren, fitorja as që nuk diskutohet. Fitorja nuk është për mua, as për Elisën, as për Dallandyshen, as për Yllin, nuk është për politikanët. Nuk është as për ministrat, për drejtorët, por fitorja është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Prandaj më lini ta them se si është fitorja. Fitorja është për të gjitha ato gra që janë nëpër shtëpi e shohin televizor, e janë nëna që luajnë mendsh kur shohin politikanët që zihen me njëri-tjetrin, kur shohin partitë që kacafyten me njëra-tjetrën. Që shohin burra që i japin gojës deri në atë pikë sa është për t’u tmerruar se ke kalamanin afër”, – tha Rama.

“Fitorja është për të gjitha gratë, të gjitha vajzat, që ne i kemi mbështetur, që sot janë shumë më brenda jetës sociale, shumë më të pranishme në përfaqësim se dje dhe po  ku e ku më shumë se dje. Grave dhe vajzave ju duhet jo një fitore e Partisë Socialiste, ju duhet një fitore që shkon përtej pandemisë, përtej politikës, përtej partive, që shkon në atë drejtim që ata shohin çdo mëngjes që hapin sytë dhe deri natën vonë kur mbyllin sytë pasi kanë vënë fëmijën në gjumë, të ardhmen e fëmijëve të tyre”, – nënvizoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.