“Fëmijët mësojnë me librat e Oksfordit, e jo të Fahri Balliut”/ Shiroka, finaliste në konkursin më prestigjioz të arkitekturës europiane

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ “Fëmijët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë sot mësojnë me librat e Europës dhe jo të kopjacëve të PD-së”, tha sot Kryeministri Edi Rama nga Shkodra.

Në takimin me qytetarë në Shkodër, Rama u ndal te ndryshimi në cilësinë e librave shkollorë.

“Nënave shkodrane që çojnë fëmijët në shkollë u them se deri në dje u jepnin librat e Fahri Balliut, e lloj-lloj Fahri Ballinjve që merrnin e i kopjonin mbrapsht tekstet alternative. Prodho libra jepu kalamajve, çorodit kalamajtë, çorodit mësuesit, çorodit prindërit. Sot nënat shkodrane e dinë se fëmijët e tyre nuk marrin më librat e Fahri Balliut, marrin të Oksfordit, Kembrixhit, Pirsonit. Pra fëmijët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë sot mësojnë me librat e Europës dhe jo të kopjacëve të PD-së që nuk dinë as të kopjojnë”, u shpreh Rama.

“Po si mundet të vazhdojnë t’i besojnë Voltanës edhe gjithë atyre që u vijnë rrotull? Unë deputetët e Shkodrës, disa prej tyre i njoh. I kam pasur në parlament, gati menjëherë të çoheshin në këmbë për të ardhur te foltorja. Atë punë e bëjnë më mirë nga të gjithë. Vijnë te foltorja e bllokojnë foltoren, e flasin, e shajnë në emër të Shkodrës, se iu duket sikur po rrëzojnë monumentin e Enver Hoxhës akoma, kur vijnë te foltorja kur unë jam duke folur në parlament”, tha Rama.

“Vazhdojnë me luftën me Enver Hoxhën, se iu është futur Enver Hoxha në tru komplet,  është mallkimi i Enver Hoxhës që po e ndjek Shkodrën ka 30 vite, që po i thotë ma nxitë jetën sa isha gjallë, se nxorët gjithë barcaletat kundër meje dhe kundër diktaturës dhe unë do ua lë mallkimin në formën e Partisë Demokratike”, tha Rama.

“Ia la Shqipërisë kur i la Saliun në kokë dhe tani Saliu del demokrat dhe unë jam komunist. Saliu na qenka njeriu që dashka Shkodrën dhe unë, nipi i Veronika dhe Zef Kolombit qenkam njeri që s’e dashkam Shkodrën. Unë, që edhe fenë e kam dhuratë nga gjyshja ime shkodrane, nuk e dashkam Shkodrën. Unë qenkam i pafe, Saliu qenka besimtari që do Shkodra. Ej, po ky është turp i dheut. Këtë turp ky dhe nuk ka për ta harruar dhe kush merr pjesë në këtë turp, pavarësisht se historia do ta harrojë, se historia nuk mban mend deputetët e Shkodrës, se për çfarë t’i mbash mend, historia mban mend Luigj Gurakuqin, por historia e Shkodrës do flasë për këto 30 vite dhe do thotë: hej, si ka mundësi gjithë këto familje me tradita, me rrënjë të thella në histori, gjithë ky vend që dikur u tregonte shqiptarëve modën, jetën matanë detit, tregtinë, artizanatin, pikturën, fotografinë, i nxori shqiptarët nga shtëpitë për t’iu bërë fotografi, mbeti në dorën e Voltanës dhe të ca tipave që të kapësh njërin ta përplasësh pas tjetrit edhe mos të nxjerrësh një gram tru. Si ka mundësi? Çfarë duhet të bëj unë?! Çfarë duhet të bëjmë ne më shumë?” – tha ai.

Në vijim, Rama tha se “duam t’i hyjmë një transformimi të madh këtu”.

“Doni ta bëjmë Shkodrën si Vlora? Doni ta bëjmë Shkodrën si Korça? Doni ta bëjmë Shkodrën si Shkodra? Mjafton ta bësh Shkodrën si Shkodra dhe e ke kry. Për t’iu dhënë mundësinë të gjithë vajzave dhe djemve që ta gjejnë këtu të ardhmen e tyre. E ke kry. Shumë mirë që s’ka këtu projekte, se ne do nxirrnim projekte, ata do thonin 3D, se ata projektet i kanë fletore hallvaxhinjsh, prandaj është Shkodra kështu. Ndërsa ne 3D-të i bëjmë realitet. 3D ishte dhe aeroporti i Kukësit, për pak ditë vijnë ata të tjerët, çunat e Londrës që luftojnë komunizmin në Kukës. Do t’i sjellim me aeroplan, t’i ulim në Kukës, e t’u themi ‘ja ku e keni aeroportin dhe votoni PD-në’. 3D ishin dhe shkollat që po ndërtohen një pas një pas tërmetit, por janë shkolla që janë të denja për t’i vënë në mes të çdo kryeqyteti europian. Shkolla europiane të vitit 2021, 3D ishin. 3D ishte dhe Shiroka. Kur e kam nxjerrë në fillim ma kanë nxirë jetën, Shiroka sot është atje realitet, është një pasqyrë e vogël e vizionit tim, është një pasqyrë e vogël e ambicies tonë, është një pasqyrë e vogël e aftësisë sonë transformuese. Por sot Shiroka është finaliste në konkursin më prestigjioz të arkitekturës europiane që jep çdo vit një çmim, për të cilin çdo arkitekt më i madh i botës krenohet. Shiroka është Shirokë, ajo është pasqyrë për të parë se si ne mund ta shpërndajmë këtë rreze atje mbi të gjithë Shkodrën”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.