Fatmir Xhafaj: PS siguron në Tiranë 19 mandate, më 25 prill është fituese

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Numri 23 i listës socialiste Fatmir Xhafaj në qarkun e Tiranës, u pyet sot në Shqip në Dritare TV për rolin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në fushatën elektorale.

Xhafaj shprehu bindjen e plotë se më 25 prill Partia Socialiste i ka të sigurta 19 mandate në kryeqytet dhe se PS-ja do të dalë fituese.

“Veliaj është në rolin e drejtuesit politik dhe është duke vrapuar shumë. Është duke vrapuar sa nga njëra zonë në tjetrën, sa te një deputet te tjetri. Unë jam nga deputetët që ka ardhur më pak në territorin që na ka ndarë dhe është normale që ai të shkojë tek ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Por realisht është duke vrapuar dhe duke vrapuar mirë për një fushatë të tillë. Unë besoj që PS-ja i ka të vetat 19 mandate në Tiranë. Për shkak të mbështetjes them se do të marrim 19 mandate. Unë jam i bindur se më 25 prill fituese është Partia Socialiste. Vetëm Partia Socialiste me votat e saj do mund të bëjë qeverinë e re. PS-ja kandidon me siglën e vet, pa aleatë dhe më 25 prill vota e qytetarëve të këtij vendi do t’i japë mundësinë dhe përgjegjësinë për të reflektuar edhe për gabimet që mund të ketë bërë, dhe për përgjegjësinë e madhe që po i jep PS-së që ta qeverisë vendin dhe për 4 vjet të tjera. Shpresoj dhe besoj se nga mbështetja që kam marrë, unë do të jem pjesë e kësaj përgjegjësie të re të PS-së dhe do të më japin edhe njëherë mundësinë që të tregoj që unë në politikë kam hyrë për të shërbyer dhe kjo do të jetë një përgjegjësi e re tashmë jo vetëm si prind dhe si gjysh”, tha Xhafaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.