“Basha premton lekë, lekë, lekë”/ Si mund t’i besohet këtij Rrapushi të ri, më jepni një t’ju jap dy

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Lezhë, u shpreh se shqiptarët nuk mund t’i besojnë më një Rrapushi të veshur si dhëndër, që dy shkuesit, Iliri dhe Saliu, kërkojnë ta martojnë.

“Këtu të gjithë ata që nuk janë 20 vjeç, por janë më të rritur e dinë shumë mirë, e kujtojnë shumë mirë, por këto janë ditët për ta kujtuar më së miri dhe për të mos e harruar në asnjë mënyrë se çfarë ndodhi, kur Rrapush Xhaferri u shfaq në jetët tona, së bashku me Suden, Vebiun, natyrisht me bekimin e Saliut. Çfarë ndodhi kur ky gjeneral, kur ky shpëtimtar, kur ky profeti, me makina nga pas, autokolona, ndalonte qytet më qytet, pritej me këngë e me valle. Madje, i shtronin dhe sheqer, kur hynte diku, ashtu siç i shtruan Lulit dikur kur erdhi në Lezhë, dhe ju thoshte shqiptarëve, çfarë keni ju, unë jam këtu, më çoi Zoti t’i zgjidh përfundimisht hallet tuaja. Ju s’keni pse të lodheni e të shkoni në punë, ju s’keni pse lodheni pse të kullosni bagëtitë; ju s’keni pse lodheni, ju rrini nëpër kafe, ju bëni jetën tuaj, qejf o qejf, muhabet, mjafton që mua të më jepni, 1 unë ju jap 2. Ju më jepni 5 mijë lekë sot, unë pas një jave 10 mijë lekë. Ju më jepni 10 mijë lekë pas një jave dhe ju jap pas një jave tjetër 20 mijë lekë. Kështu shqiptarët shkuan pas berihajit. Dëgjuan edhe Saliun që u tha ‘shkoni, erdhi dita, erdhi dita, erdhi dita, ndryshimi i madh trokiti, shkoni, janë lekë të pastra’. Shitën bagëtitë, shtëpitë, shitën gjithçka kishin, sepse jepnin 1, merrnin 2 dhe filluan të ëndërrojnë vila, makina luksoze, filluan të ëndërrojnë një jetë si në përralla. Fundi kush ishte? Fundi ishte që më jep 1 të jap 2, u bënë dy gishta që qërruan një popull të tërë dhe Shqipëria e gjitha u gjend në mes të një zjarri, që u ndez nga kjo marrëzi. Dhe pastaj, sa vite u deshën për të marrë veten, për t’u ringritur, sa vite u deshën për t’i bërë për tufat e deleve, sa vite u deshën për t’i bërë prapë lekët mbrapsht për shtëpinë, sa vite u deshën për të ribërë ekonominë tonë. Gjithë ato vite”, – tha Rama.

“Si mund t’i besohet sot përsëri këtij lloj Rrapushi të ri, një Rrapush i veshur e i zbukuruar si dhëndër, që ka dalë për nuse me një tabor krushqish, ndërkohë që  shkesët nuk duken, ose më saktë, shkesët njëri duket, tjetri s’duket: Saliu dhe Iliri. Ata janë shkesët, që kërkojnë me çdo kusht që t’i tërheqin shqiptarët pas këtij dhëndri, që iu thotë të gjithëve do ju jap lekë. Çfarë i jep? Je një nënë me fëmijë të vegjël? Do të jap unë lekë për fëmijët, mos ki merak për fëmijët. Çfarë jeni ju, dy të rinjtë të dashuruar? Martohuni ju, ç’keni, se ju jap lekët unë. Çfarë jeni, jeni fermerë? Pa problem fare, unë do t’ju jap lekë, lekë pafund. Çfarë jeni, sipërmarrës të vegjël, jeni biznes i vogël? (e keni dëgjuar kur u thotë, do ju jap nga 1000 euro në muaj?)”, vijoi Rama.

“Lekë, lekë, lekë, lekë, dhe në ndërkohë ne nuk jemi në këtë garë se kush jep më shumë lekë. Lekë që në fakt s’do jepen kurrë dhe s’do merren kurrë, por ne jemi në garë për të bërë një dallim shumë të madh, për të bërë një zgjedhje shumë të qartë, çfarë duam ne për veten, për familjen, për komunitetin tonë, për atdheun tonë. Duam të mbërrijmë në atë majë, ku Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të mbërrijë, se Zoti ia ka falë të gjitha, si asnjë vendi tjetër ndoshta në një hapësirë kaq të vogël: Edhe detin, edhe malet, edhe lumenjtë, edhe ujin e pafundmë, edhe pasuritë natyrore, të gjitha, por ka qenë robi, që nuk e ka lënë të ngjitet në majë”, shtoi Rama.

“Gjithmonë duke përfituar nga momenti kur shqiptarët janë lodhur, kur shqiptarët janë ndjerë të mërzitur, kur janë bërë të pakënaqur dhe thonë ‘varja, nuk ia vlen’. Pikërisht në atë moment sprovohet karakteri, ashtu si sprovohet karakteri i babës fermer, i babës që punon tokën, i babës që del në katër të mëngjesit dhe kthehet natën, një babë që e lë fëmijën në gjumë dhe e gjen në gjumë për të sjellë në shtëpi ushqimin, fitimin nga djersa e ballit; i babës që një ditë të bukur del nga shtëpia dhe e gjen rrafsh të gjithë prodhimin, sepse një breshër i madh, ia ka marrë të gjitha; i babës që të nesërmen nuk thotë ‘varja’, por rikthehet, rimbjell dhe rikultivon, rimbledh dhe ringrihet. Karakteri i të gjitha nënave tona, i të gjitha grave, nuseve, që i rrinë në kokë shtëpisë, që u rrinë në kokë fëmijëve, familjes, që nuk thonë ‘u lodha, u mërzita’, që nuk thonë ‘varja’. Karakteri i të gjithë shqiptarëve që në jetën e përditshme besojnë tek puna, që në jetën e tyre të përditshme besojnë tek djersa, besojnë tek fuqia e ambicies së tyre dhe nuk dorëzohen. Kjo është sprova e karakterit shqiptar dhe më 25 prill për të vazhduar të ngjitemi”, – tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.