Basha: Bulevardi i ri, vepër e projektuar me konkurs ndërkombëtar

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një studio televizive lidhur me projektet e kohës kur përfaqësonte Elbasanin në Kuvend.

“Si deputet i Elbasanit ishte kërkesë e banorëve që të bënim gjithçka për autostradën Tiranë-Elbasan, ndërkohë që ishte projektuar një rrugë tjetër Baldushk-Papër. Dhe vjen një moment, e diskutojmë, unë isha përfaqësues i Elbasanit dhe kryeministri Berisha më thotë: sapo kemi mbaruar tunelin e Kalimashit, duhet ta rishikojmë se ky opsioni tjetër mund të jetë më i përballueshëm dhe mbrapa qëndronte si gjithmonë leva e frenave, që është Ministri i Financave. I thashë ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë atë tjetrin, por kjo do të na ndihmojë shumë më shumë në kuptimin ekonomik, është pjesë e “Korridorit 8”, tha Basha.

“Duke shfrytëzuar lidhjet si ministër i Jashtëm, që kisha me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara që është akoma në detyrë, i kërkova ndihmë. Ndodhi që gjatë fushatës kërkoi të vinte për një vizitë dypalëshe dhe i thashë, “dakord, por unë jam në fushatë, vetëm nëse vjen në Elbasan”. Erdhi në Elbasan dhe i tregova edhe rrugën e vjetër dhe pastaj u nisëm, se nuk kishte kohë, me helikopter për takimet e tjera zyrtare në Tiranë dhe e pa sa afër ishin dy qytetet, por i pengonte masivi malor i Kërrabës”, vijoi Basha.

“Pata një lobim njëvjeçar që në fund fare rezultoi në një kredi shumë të butë. Abu-Dabi në këtë rast ka ndihmuar për këtë vepër për kredinë që morëm për Lumin e Tiranës dhe Bulevardin e ri, është një vepër e projektuar me konkurs ndërkombëtar. Me këtë projekt ju drejtova Fondit të Abu-Dabit që me të vërtetë jep kredi të buta dhe arritëm të financonim Bulevardin e ri të Tiranës dhe Lumin e Tiranës”, vijoi Basha.

Në lidhje me rrëshqitjet në tunelin e rrugës së Elbasanit, pasi nuk kishte studim gjeologjik, Basha i cilësoi gënjeshtra.

“Janë të gënjeshtra, lojëra të cilat i kanë bërë për të fshehur grabitjen që kanë bërë me vite me radhë për çdo projekt publik. Si ka mundësi që për 8 vite të ndërtohen Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Kombit dhe 8 vite me radhë nuk mbarojnë dot Unazën e Tiranës. Afera e Unazës së Re është simbolikë se çfarë ka ndodhur me investimet publike”, tha Basha.

“Vaksinimi, procesit i mungon transparenca”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se “kur nuk ka transparencë, nuk ka besueshmëri”, duke iu referuar vaksinimit masiv antikovid në vend.

“Nuk ka rrugë tjetër për të luftuar me efektivitet pandeminë përveç vaksinimit. Vaksinimi nuk është proces personal, shqiptarët duhet ta kuptojnë se vaksinat blihen me paratë e taksave të shqiptarëve. Besueshmëria vjen përmes transparencës, si mund të ketë transparencë kur ti thua po sjell një çantë por nuk po e them nga erdhi, kur ti e kthen procesin në fushatë për interesa private, politike apo elektorale. Si në tetë vite edhe në menaxhimin e pandemisë, ky kryeministër ka dështuar për shkak të mungesës së transparencës që ka rrënuar besueshmërinë te procesi i vaksinimit”, u shpreh Basha.

Basha tha se janë bërë përgatitjet për vaksinimin me ardhjen në pushtet.

“Partnerët na kanë vendosur në dispozicion 4 ekspertë perëndimorë. Partnerët janë SHBA, BE dhe Britania e Madhe. Ekspertët i bashkohen ekipit tanë. Partnerët ia kanë vendosur edhe qeverisë, por mesa duket është interesuar te teatri dhe jo te zgjidhja e problemit”, tha ai.

“Me ne procesi i vaksinimit do të ecë në bazë të dy parimeve, transparencës dhe administrimit të vaksinave të certifikuara nga Bashkimi Europian. E para është kjo, a e mbani mend kur nisi administrimi i vaksinave, që mediet europiane shoqëronin me kamera autokolonat që merrnin vaksinat, e bënin për të rritur besueshmërinë e njerëzve. E kundërta ndodhi këtu. Shqiptarët duhet të kenë besim që po marrin vaksina që me të vërtetë do i ndihmojnë dhe kjo vjen përmes certifikimit të vaksinave, EMA dhe FDA”, tha Basha.

“Shqiptarët meritojnë vaksinim të sigurt. Unë flas si drejtuesi i ardhshëm i qeverisë shqiptare. Drejtuesi në ikje i qeverisë shqiptare duhet të kishte garantuar transparencën, besueshmërinë dhe që shqiptarët të merrnin vaksina të certifikuara. Me ne procesi i vaksinimit është i garantuar që do të ecë shpejt dhe me vaksina të certifikuara që do të rrisin besueshmërinë dhe administrimin sa më të shpejtë të tyre te e gjithë popullata shqiptare”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.