Arkitekti spanjoll Hernandez: Kënaqësi puna me Becin, profesionist i përkushtuar për të realizuar projektet në Shkodër

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci, prezantoi sot përmes një videoje projektet e realizuara në këtë qytet nga arkitekti spanjoll Jesus Hernandez.

Beci thekson se arkitekti Hernandez ka punuar për Marubin, Shirokën dhe të gjithë konceptin e bregut të liqenit, si dhe së fundmi për një koncept të ri zhvillimor për liqenet e Vaut të Dejës e të Komanit.

“Jesus Hernandez është arkitekt spanjoll që ka një studio arkitekture në Rotterdam, Hollandë. Ai ka bërë projekte në të gjithë botën dhe ka rreth 7 vite që në mënyrë të vazhdueshme ka bërë projekte edhe në Shqipëri. Jesusin e njoha në prill 2014, kur organizuam konkursin ndërkombëtar për muzeun Marubi; tani është një mik i mirë i imi, i Shqipërisë dhe i Shkodrës”, – tha Beci.

Sipas tij, Marubi ishte një projekt kompleks ku brenda një godine relativisht të vogël duhej të kishte një shtëpi të sigurt për arkivin e fotove, një vend komod pune për stafin dhe një muze të standardeve evropiane, që të paraqiste vlerat më të mira të historisë së fotografisë shqiptare.

“Sot muzeu është një qendër e kulturës në Shkodër, një model për muze të tjerë në Shqipëri dhe një ndër vendet më të vizituara në qytet. Ishte një sfidë e bukur së cilës ia dolëm, siç do t’ia dalim për sfidën e madhe, Shkodrën”, – u shpreh Beci.

Ndërsa arkitekti Hernandez u shpreh se “muzeu Marubi ishte mundësia e parë që zyra ime të punonte në Shkodër, por edhe në Shqipëri. Ishte projekt i bukur, por gjithashtu kompleks. Ishte kënaqësi puna me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Benetin dhe skuadrën e tij profesionistë të përkushtuar për të realizuar çdo detaj të projektit. Monumentet e Kulturës janë elementë të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë. Ata projektojnë imazhin e një Shqipërisë bashkëkohore, por gjithashtu janë të rëndësishëm sepse tërheqin turistë dhe nxisin ekonominë lokale”.

“Në të njëjtën kohë lidhin komunitetin dhe trashëgiminë kulturore. Muzeu “Marubi” ishte një mundësi që do ta doja Shkodrën dhe njerëzit e saj”, – u shpreh Hernandez.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.