“Universitetin në Peshkopi e hap Luli me dekan Xhelal Mziun”/ Do bëjmë që universitetet e huaja të integrohen në universitetet tona

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Dibra, se integrimi i universiteteve të huaja në universitet tona në Shqipëri do të mundësojë që këtu të studiohet me programet e huaja dhe mund të merret një diplomë e barabartë me ato të universiteteve të huaja.

“Dëgjova se Luli kishte thënë që do të hapim Universitetin e Peshkopisë. E kuptoni ju tani, prapë nga e para: universitet në Peshkopi, universitet në Ulëz, universitet në Burrel, universitet kudo ku shkel Luli”, – tha Rama.

“Ne nuk do të hapim universitet në Peshkopi, por do të bëjmë që vajzat dhe djemtë e Dibrës të shkojnë në universitet në Tiranë dhe në Tiranë, ashtu sikundër ne kudo kemi universitete, ne do të bëjmë që universitet e huaja të integrohen në universitet tona”.

Kjo do të thotë, vijoi ai, që programet e universiteteve të huaja të bëhen në universitetet tona dhe diplomat e universiteteve të huaja të merren në universitetet tona, dhe prindërit për ata që janë më të mirët, të mos thonë ‘hajde të mbledhim të gjitha kursimet e ta çojmë gocën apo çunin jashtë shtetit, që të ketë studimin më të mirë’, por t’i çojnë aty ku janë universitetet tona në Shqipëri, ku studiohet me programe të huaja dhe mund të merret një diplomë e barabartë me ato universite të huaja”.

“Këtë do të bëjmë ne. Universiteti në Peshkopi?! Imagjinoni e hap Luli dhe keni dekan Xhelal Mziun”, – u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.