“Uji i pijshëm po shkon në çdo vend ku s’kishte për 100 vjet”/ Ne po vëmë bazat dhe mbi këto baza po ngjitemi

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, mandati i tretë nuk është për të, por është për të gjithë fëmijët e këtij vendi.

Duke folur në një takim me qytetarët në Dibër, Rama tha se, “midis vitit kur erdhëm dhe vitit ku jemi, u futën në mes dy monstra: u fut tërmeti, u fut edhe armiku i padukshëm. Dhe sot ne jemi duke i vënë poshtë të dyja monstrat. Ama nga ana tjetër në këto vite ne kemi hedhur themele të forta. Kemi filluar të ndërtojmë katet. Akoma nuk e kemi çatinë, patjetër nuk e kemi çatinë, se në qoftë se do të bëhej Shqipëria dot ajo që emigrantët shikojnë kur shkojnë në Gjermani, kur shkojnë në Angli, në qoftë se do të bëhej Shqipëria dot ajo që shikojnë kur shkojnë në Greqi, në kaq pak vite”.

“Në qoftë se do të bëhej Shqipëria dot vendi ku ja ku jemi këtu në Dibër. Isha në Mat, në Bulqizë, kudo ku shkon po shkon uji i pijshëm. Pse s’kishte ujë të pijshëm fare për 100 vjet? Pse ajo që nuk u bë në 100 vjet u bëka sa hap e mbyll sytë? Uji i pijshëm po shkon kudo, sepse ne po vëmë bazat dhe mbi këto baza po ngrihemi dhe po ngjitemi”, theksoi Rama.

“Jemi në momentin më kritik. Jemi në atë moment kur duhet vetëm vendosmëri, kur duhet vetëm forcë, kur duhet vetëm vazhduar. Jemi në atë moment kur e kemi ngrënë disa herë. A ju kujtohet sa herë edhe Kombëtarja jonë e ha në fund të lojës, edhe themi mos edhe këtë herë. Sepse jemi pikërisht në atë moment; në atë moment kur duhet të vazhdojmë; në atë moment kur duhet të ngrihemi; në atë moment kur duhet të besojmë se maja që duket më lart, sa më shumë i afrohesh, sepse këmbët kanë fillaur të lodhen, është në dorën tonë e arrijmë apo jo”, u shpreh Rama.

“Më 25 prill është në dorën tuaj. Mandati i tretë nuk është për mua. Harrojeni Edi Ramën. Mandati i tretë është për të gjithë fëmijët e këtij vendi”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.