U ndërtua nga ata që duan të kthehen pas dhe e mori era / Ndërtojmë rrugën Rrëshen-Burrel, 24 orë ujë edhe në Mat

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj të Burrelit, tha se qyteti i tyre është duke marrë jetë hap pas hapi, ndërsa shtoi se Rruga e Arbrit është drejt përfundimit, ashtu sikurse shumë shpejt Burreli e Mati falë investimeve në ujësjellës do të kenë realitet premtimin për furnizimin 24 orë me uji.

Rama tha se politika bën dhe politika zhbën, varet në ç’duar bie.

“Ku erdha unë e kam parë dhe nuk e harroi kurrë që kur kam ardhur për herë të parë këtu, ishte e pabesueshme pasi në asnjë vend ku ku hidhje sytë nuk e shikoje politikën, por boshllëkun e lënë prej saj. Gropa, pluhur, rrëmujë, sot ky është një vend që po merr jetë. Hap pas hapi me vështirësi por sot Mati nuk është gjëkundi me të që ishte”, – tha Rama.

“Sot ëndrra shekullore e ujit të pijshëm nuk është një ëndërr që do të vazhdojë dhe në shekullin tjetër, por është çështje kohe, pasi po investohet fuqishëm në dy ujësjellësat qoftë në Burrel e Mat për ta bërë Burrelin e Matit me 24 orë uji, kush e bëri? Politika!. Ashtu sikundër politika e keqe nuk e bëri kurrë, politika në shërbim të njerëzve po e bënë realitet”, – tha Rama.

“Unë e di shumë mirë që kanë të drejtë dhe s’kanë të drejtë në fakt, por le të themi se kanë të drejtë në fillim, kur thonë se akoma me ujin e pijshëm merreni. Po patjetër, sepse ne nuk jemi këtu 100 vite në drejtim dhe kur ne morëm detyrën, situata ishte katastrofike dhe kur Goni erdhi në Bashki, unë e mbaj mënd shumë mirë bisedën që kemi bërë. Momenti kur i thashë, ti do kandidosh. Më tha: “Kryeministër, jam shumë i qartë që s’po shkoj në një vend pa vështirësi, jam i qartë për të gjitha vështirësitë, por nëse s’më premton që do t’i japim 24 orë uji matjanëve, mos ma kërko”, – tha Rama.

“Nga ana tjetër, sot unë arrita këtu nga Rruga e Arbrit që është duke përfunduar. Një ndryshim i jashtëzakonshëm, me të gjitha herët dhe nuk kam ardhur pak herë këtu, nga rruga tjetër. Ndërkohë fjala parë që dëgjova: “Aman, shumë bukur Rruga e Arbrit, por është rruga Burrel-Rrëshen”, që u ndërtua nga ata që sot duan të kthehen pas, dhe për 6 muaj e mori shiu dhe era. Sigurisht do e bëjmë dhe rrugën Rrëshen-Burrel dhe nuk diskutohet. Por, e sjell këtu në vëmendje tuaj për të thënë se politika e bën dhe e zhbën një vend. Varet në çfarë duarsh bie politika. Bie në duar që punojnë gjithë ditën apo bie në duar që gjithën ditën mendojnë si të futen në xhepat e të tjerëve. Shumë e thjeshtë, pse të mos bëhej rruga e Arbrit për vite e vite të tëra, pse të lihej gjithë kjo pjesë e parajsës shqiptare komplet e fshehur”, – nënvizoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.