Strategjia e vaksinimit po ecën si sahat zviceran/ Negociojmë nga të katër anët në të gjitha kontinentet

TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “strategjia e vaksinimit po ecën si sahat zviceran deri tani”.

“I lutem Zotit të vazhdojë kështu! Duam që të vaksinojmë gjysmë milioni brenda majit, pastaj vazhdojmë me një sezon turistik shumë të lehtësuar. Kjo është pak, por e sigurt”, tha Rama në një intervistë televizive.

Rama tha se “ne negociojmë, komunikojmë dhe punojmë ditë-natë nga të katër anët në të gjitha kontinentet. ‘Pfizer’ e kemi kontraktuar, vazhdojmë marrin doza sipas kalendarit të ‘Pfizer’. Jemi në të gjitha zonat të pranishëm duke u përpjekur të fitojmë sa më shumë në favor të shqiptarëve”.

Shqiptarët, tha Rama, “janë të vetëdijshëm që ne as nuk i zgjodhëm, por as nuk i shmangëm dy goditjet e mëdha që morëm”.

“Mandati ynë i dytë ishte i jashtëzakonshëm dhe më shumë se një mandat qeverisës ka qenë një mandat lufte në të dyja këto fronte. Na ka penguar për shumë gjëra pa çuar deri në fund një punë shumë të rëndësishme. Sot është momenti që shqiptarët të fokusohen shumë qartë te përfundimi me lavdi i këtyre betejave dhe hyrja te një Shqipëri përtej  tunelit të pandemisë në momentin që drita po vjen duke u zmadhuar dhe për ta bërë që Shqipëria të jetë vendi ku çdokush të shohë të ardhmen e tij duke punuar fort për një rritje ekonomike”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.