Sondazhi i IPSOS në 2 qarqe/ PS fiton 60.1% në Vlorë, PD 32.1%; në Shkodër PD merr 56.9%, PS 29.4%

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, PS do të fitonte zgjedhjet me 60.1 % në qarkun e Vlorës, ndërsa 32.1 % e qytetarëve do të votonin për aleancën PD-AN, LSI renditet e treta me 4 % dhe Lëvizja për Ndryshim me 1.6 %, sipas të dhënave të sondazhit të katërt të opinionit publik në Shqipëri mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kryer nga Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS), dhe të publikuar në emisionin “Open” në Top Channel.

Sa i përket mandative në qarkun e Vlorës, PS triumfon me 8 mandate, ndërsa PD do të merrte 4 mandate dhe LSI nuk do të arrijë të marrë asnjë mandat.

Në qarkun e Vlorës, rezulton se 56 % mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, 35 % mendojnë se po shkon në drejtimin e gabuar. Vetëm 6 % mendojnë se nuk është as në drejtimin e duhur as në të gabuar, ndërsa 3 % refuzojnë të përgjigjen.

Sa i përket qarkut të Shkodrës, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, aleanca e PD-AN do të fitonte zgjedhjet me 56.9 %, ndërsa 29.4 % e qytetarëve do të votonin për PS.

Sa i përket mandateve aleanca PD-AN do të marrë 7 mandate, PS do të marrë 3 mandate, ndërsa PSD, e drejtuar nga Tom Doshi vetëm 1 duke lënë kështu LSI pa asnjë mandat.

Po ashtu sipas sondazhit në qarkun e Shkodrës, rezulton se 49 % mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e gabuar, 42 % mendojnë se po shkon në drejtimin e duhur.

Sondazhi është kryer në periudhën 8 deri më 12 prill 2021 me të intervistuar mbi 18 vjeç. 1003 të anketuarit në qarkun e Shkodrës kanë dhënë përgjigjen e tyre se në cilin drejtim po shkon Shqipëria.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.