Shkëlqim Selami për akuzat e Metës: Etaloni i blerjes së votave, bëj shumë më shumë se ty i veshur nën petkun e presidentit me puplat e kandidatit

TIRANË, 14 prill /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami, i është përgjigjur akuzave të Presidentit Ilir Meta për blerje votash në Vlorë.

Në reagimin e tij, Selami i drejtohet Presidentit si “kandidati i LSI”, ndërsa e akuzon se kur ai ishte pjesë e LSI-së, vetë Meta e pyeste se sa vota arrinte të blinte.

“Zoti kandidat, mua nuk më bën dot pis dhe të më përmendësh blerje votash se kur me thoje sa vota arrin të blesh të thoja që mandatin nuk e dua po s’ma dhanë vlonjatët me vullnetin e tyre të lirë dhe për këtë jam krenar se e bëra mandatin vetëm me votat e vlonjatëve dhe me asnjë votë nga Saranda, dhe ti këtë e di mirë”, shprehet ai.

Sipas tij, Meta është “etalon i blerjes së votave”, ndërsa i bën thirrje që të mos merret më me të.

“Ke qene etaloni i blerjes se votave dhe i habitur atëherë me thoje paske të drejtë vëlla, këta dashkan vetëm bukë ujë dhe histori, tani e ke rritur piacën u jep dekorata duke i përdorur ne vend te verdhushkave. Pushkatimi i Luanit tregon që po shikon hije dhe s’ke më besim as tek vetja. E kalon pushkën sa në dorën tende dhe në dorën e atyre që të shërbejnë si vegël. Këtu je në Vlorë z. Kandidat, dhe atë që unë e bëj si qytetar i thjeshtë ti nuk e bën dot as si president. Të premtoj pas 25 prillit do të vijmë me komposto kumbullash vlonjate dhe liko që të mund të qerasësh ata që tani po i përdor si vegla. Mos u merr më me emrin tim, shiko përtej, bëj paqe me veten, unë jam qytetar i thjeshtë vlonjat që do bëj çdo ditë për qytetin tim, këtu zgjodha të jetoj dhe të rris fëmijët e mi. Do jap kontributin tim atje ku kam parë dhe prekur ndryshimin, s’kam nevojë për mandat unë për të bërë për Vlorën, s’më bëri as pozita as karrigia dhe as mandati ky që jam. Unë si qytetar i thjeshtë bëj shumë më shumë se ty i veshur nën petkun e presidentit me puplat e një kandidati dhe me duart e mbushura me dekorata. Me qetësi dhe dashuri drejt 25 prillit dhe pas 25 prillit për një drekë në Kuzum Baba të festosh me ne fitoren tonë”, shprehet ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.