“Pse vallë janë më të rëndësishëm për ty Saliu dhe Iliri se sa Shqipëria Lulëzim?!”

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në mbrëmje ndaj disa deklaratave të kreut të PD-së Lulzim Basha.

“Po pse vallë janë më të rëndësishëm për ty Saliu dhe Iliri se sa Shqipëria Lulëzim?! Shqiptarët duan bashkim, duan që ne të gjithë të punojmë për ta dhe ekonominë e tyre përtej pandemisë, duke e lënë pas politikën e vjetër të sherrit, dasisë, konfliktit deri në absurd! Pse ti jo?”, u shpreh Rama.

Më herët Basha u shpreh se “në 25 prill shqiptarët do votojnë numrin 9 për ta larguar Ramën dhe ai nuk do jetë kurrë pjesë e qeverisjes sonë”.

“Koha e tij ka mbaruar. Ne do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do fitojë”, u shpreh Basha.

Në një intervistë televizive nga Rruga e Arbrit, gjatë ditës, kryeministri Edi Rama ishte shprehur se “në 26 prill jam i gatshëm të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën dhe Lulzim Bashën, por ka një kusht të thjeshtë”.

“Lulzim Basha duhet të ndahet qartësisht nga Ilir Meta dhe Sali Berisha për të transformuar njëherë e mirë një jetë politike në Shqipëri, që me konvulsionet e saj është kthyer në një stres për shqiptarët. Bashkëpunimi ngushtësisht do të thotë si një bashkëpunim në vendet që ne duam të arrijmë dhe t’u ngjajmë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.