“PS shumë afër mandatit të 9 në Vlorë”/ Gjiknuri: LSI pa mandat, prandaj është tërbuar presidenti

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i PS në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, Vlora është qyteti që ka pësuar ndryshimet më të mëdha dhe përgjithësisht qarku i Vlorës është qarku që ka thithur investime masive.

“Vlora është qark që ka një turizëm të zhvilluar dhe mund të themi që qarku i Vlorës në një pjesë të mirë të vitit ka një situatë shumë më aktive nga pikëpamja ekonomike”, theksoi Gjiknuri.

“Vlora ka emigracion sezonal. Ka qytetarë të Vlorës të cilët gjatë verës vijnë dhe ringrenë bizneset e tyre, rihapin restorantet e tyre, hotelet e tyre”, tha Gjiknuri.

“Megjithatë, shtoi Gjiknuri, “në Vlorë ka një asociim me zhvillimin që është i dukshëm, e ndjejmë kudo, sepse ne jetojmë dhe punojmë me ta përditë”.

“Mendoj që rezultatet dhe mbështetja poltike është më e lartë sesa 56 %, sipas mendimit tim me leximin elektoral që i bëj unë situatës dhe nisur nga të dhënat që unë disponoj”, u shpreh Gjiknuri duke iu referuar rezultateve të sondazhit Ipsos.

Gjiknuri tha se, “qyteti i Vlorës ka pësuar transformim por mos harrojmë edhe në qarkun e Vlorës janë bërë investime të tilla që kanë rritur shumë shpresën për zhvillim ekonomik, siç është edhe rruga e Lumit të Vlorës një rrugë historike që lidh Labërinë me bregdetin. Ka investime shumë të rëndësishme në Sarandë, por edhe në gjithë bregdetin”.

“Qarku i Vlorës është një qark që ka thithur shumë investime publike, por njëkohësht jo thjesht investime për të dhënë një efekt pozitiv në publik, por investime që krijojnë një zinxhir ekonomik”, u shpreh Gjiknuri.

“Tërmete elektorale do të ndodhin në vende ku qeveria investon dhe njerëzit kuptojnë ndryshimin”, tha Gjiknuri.

“Regjistrimi i pronave ka filluar të ndodhë dhe këto ditë që flasim është mbyllur Gjileka, është mbyllur Ilias, fshatra të bregdetit, hapet Himara dhe Dhërmiu dhe pak nga pak pronat e paazhornuara po regjistrohen”, u shpreh Gjiknuri.

“Zinxhiri ekonomik në investimet publike të bëra është i dukshëm dhe kjo duket në rritjen e vlerave të pronave. Vlera e pronave, vlera e volumit të xhirove të biznesit në zonat ku është investuar ka një rritje të jashtëzakonshme dhe kjo është e faktuar. Ky është zinxhiri ekonomik që krijohet. Pra krijohet një aset publik i rëndësishëm dhe aty fillon zhvillohet një biznes rreth saj dhe shtrihen ato rrathët koncentrikë, hapen në atë nivelin ekonomik që shtrihet deri në zonat më rurale. Me përfundimin e disa veprave shumë të rëndësishme siç është rruga e Lumit të Vlorë sdhe bypassi i Vlorës, zinxhiri ekonomik do të shtrihet dhe në thellësi në ato që quhen Labëri, në malësitë e Vlorës. Dhe tashmë që po flasim ka fillluar një proces i rikthimit të interesit të investimeve në ato fshatra”, u shpreh Gjiknuri.

Sa i përket gjetjeve të sondazhit ku PS fiton 60.1 % të votave dhe 8 mandate, Gjiknuri tha se, PS është shumë afër mandatit të 9 në Vlorë.

“LSI-ja është pak a shumë ai realitet prandaj është tërbuar dhe Presidenti dhe ka zbarkuar në Vlorë. Por gjithsesi një trajtë del e qartë aty që qarkullimi i votave PD-LSI ka qenë përgjithësisht ky dhe ky është një trend që duket dhe votat që dikur LSI i kishte grabitur tek PD-ja po rikthehen në origjinë dhe elektorati i majtë është solid dhe unë besoj që me fushatën intensive që po bëjmë edhe me të dhënat që unë kam PS ka gjasa që të shkojë edhe më lart”, tha ai.

“PS është shumë afër mandatit të 9, nisur nga trendet historike të sondazheve, se unë i analizoj shumë mirë sondazhet. Jemi shumë afër një rezultati që mund të shkojë në 9”, theksoi Gjiknuri.

I pyetur për prezencën e Metës në Vlorë gjatë këtyre ditëve, Gjiknuri tha se, “Presidenti thotë që zbulova komplot tek PD-ja dhe tek LSI-ja e Vlorës dhe erdha unë si avatar t’i shpëtoj”.

“Nëse populli qenka kaq naiv sa vetë kryetarja e LSI-së, zonja Kryemadhi nuk paska problem me listën e LSI në Vlorë, por erdhi ky nga Presidenca ta zbulojë. Nëse ka naiv të tillë ta kuptojmë. Po përgjithësisht vlonjatët nuk presin t’ua zbulojnë të tjerët nga Tirana”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.