“PS do të arrijë objektivin maksimal prej 9 mandatesh”/ Balla: 30 % rritje e të punësuarve në Elbasan

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se PS do të kapë objektivin maksimal prej 9 mandatesh në Elbasan falë qytetarëve të mrekullueshëm në 7 bashkitë e qarkut.

Në një intervistë televizive Balla tha se “listat janë të hapura dhe të jesh drejtues politik duhet të marrësh përgjegjësi. Duhet të vendosësh veten aty ku është objektivi minimal. Nuk është hera e parë. Në 2017 edhe pse ishim me lista të mbyllura, Ruçi ishte i 9-ti në Fier. Siç i shoh, duhet të kisha qëndruar tek pozicioni i 9-të në Elbasan”.

Sipas tij, PS për qarkun e Elbasanit jo vetëm i qëndron këtij objektivi, por do kapë objektivin maksimal.

“Numri i të punësuarve në Elbasan është rritur me 30%. Në Librazhd po prodhohen pjesë këmbimi të Mercedes-Benz. Për të hapur një biznes fason në qarkun tim, shkuam bashkë me Kryeministrin tek kompania dhe diskutuam 6 orë për ta bindur. Ajo kompani sot prodhon veshjet ushtarake të Italisë”, – shtoi Balla.

Më tej Balal u shpreh se “në Elbasan janë dy shkolla profesionale me standarde gjermane. ARD ishte para pak ditësh në Elbasan, për investimet rreth 5 mln euro në dy shkollat. Kjo është reflektuar në Elbasan, 600 nxënës gjetëm në arsimin profesional, e çuam në 2 mijë e 400”.

Duke folur për deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim, Balla tha se investimi më i madh i SHBA në Shqipëri është Reforma në Drejtësi.
“Unë mendoj qse zonja Kim e ka sqaruar shumë mirë turravrapin e personave që janë në listëpagesat e PD për ta drejtuar mesazhin e saj në drejtim të gabuar. Nëse Berishës dhe Metës do i jepej mundësia, Reforma në Drejtësi jo vetëm që ndalon, por kthehet mbrapsht. Çuarja në stacionin final të Reformës në Drejtësi do të vazhdojë edhe në 4 vitet e ardhshme.

Prandaj PS ka mbështetur ndryshimin në Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor dhe e konsideroj këtë hap të madh që qytetarët të nxiten të ndryshojë renditjen që kanë vendosur partitë”, – nënvizoi Balla.

Balla tha se “listat jo vetëm që janë të hapura, por më 26 apo 27 prill do të kuptojmë që politika në Shqipëri do të jetë ndryshe. Në përgjithësi Partitë politike nxiten të kenë përfaqësues të komuniteteve. Në qarkun e Elbasanit kandidatët janë aty sepse përfaqësojnë një krahinë apo zonë të caktuar, të gjithë janë të përfaqësuar”. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.