Po fitojmë terren ndaj pandemisë dhe rikthejmë të prekurit nga tërmeti në shtëpi/ Politika, e vetmja armë që kanë njerëzit


TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj të Burrelit, tha se është shumë e rëndësishme që politika të bjerë në duart e mira, dhe për këtë solli shembullin e vaksinimit masiv anticovid.

Rama tha se, vaksinimi masiv është një nga ato vepra politike që e ka bërë të ndjehet mirë dhe që është një fakt i rastit kur politika bie në duart e mira.

“Nuk janë numrat në takime që tregojnë forcën, por janë numrat në votime që tregojnë forcën dhe nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të jemi të bashkuar si shqiptarë, siç kemi qenë qysh në ditën e parë kur u detyruam të mbyllemi për t’ja dalë deri në fund kësaj lufte, ku çdo ditë po fitojmë terren ndaj armikut të padukshëm dhe ku më shpejt se shumë vende të tjera po e shohim dritën që zmadhohet në fund të tunelit”, – deklaroi Rama.

“Prandaj, të bashkuar duhet të besojmë fort tek fakti se krahas vaksinimit masiv, duhet të jemi të kujdesshëm me distancimin, pasi është shumë e rëndësishme, që vaksinimi të ketë sukses një orë e më parë dhe Shqipëria e tëra të buzëqesh përsëri, siç sot buzëqeshin përditë, mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër dhe nëna e baballarë që pas një viti sfilitje shpirtërore, psikologjike, por edhe një vështirësie më të madhe ekonomike për shkak të pandemisë, vaksinohen dhe ndjehen të çliruar”, – theksoi Kryeministri.

“Është një moment në jetën time, ku vërtet ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe ku është një mundësi reale, shumë e prekshme për të kuptuar sa e rëndësishme është që politika të bjeri në duart e duhura”, – tha Rama.

“Ne jemi mësuar që ta trajtojmë politikën si një të keqe. Ne jemi mësuar që, kur flasim për politikën, të kemi parasysh politikanët, të kemi parasysh gjithçka, për fat të keq, jo të mirë që politikanët bëjnë. Të kemi parasysh edhe hendekun e madh që politikanët janë të aftë të krijojnë me njerëzit. Rëndom, sidomos mes të rinjve, ju dëgjoni shprehjen “varja se është e kotë. Politika është e pisët. S’dua t’ia di fare për politikën, nuk dua t’ia di se kush fiton e kush humbet, nuk dua t’ia di fare për votën”, – tha ai.

“Në fakt, politika është e vetmja armë që kanë njerëzit që kanë vendosur të jetojnë së bashku, qysh se kanë dalë nga pyjet dhe kanë ndërtuar komunitet e pastaj kanë menduar se si të organizohen në një shtet, për të bërë gjërat që të vetëm nuk i bëjnë dot. Për të organizuar mbrojtjen e tyre, për të organizuar sigurinë e brendshme të komunitetit, për t’u organizuar përmes kontributeve të tyre që të ndërtojnë infrastrukturën, spitalet, çerdhet, kopshtet, shkollat, që të  garantojnë se ata që janë më të pamundur të ndihmohen. Të gjitha këto i bën politika”, – shtoi Rama.

“Natyrisht politika ka bërë shumë gjëra të këqija në historinë e njerëzimit, pasi politika ka pjell dhe fashizmin, nazizmin, totalitarizmin komunist, politika i ka pjellë. Por dhe shumë e shumë luftëra në dëm të popujve, politika i ka bërë. Por pa politikën njerëzimi nuk do kishte arritur dot të shkonte deri në hënë, e as të vizitonte Marsin, as të hidhte syrin e vetë mbi gjithë galaktikën. Pa politikën kurrë s’do kishte marrë fund skllavëria, pa politikën kurrë grate, vajzat, nënat, motra s’do kishin pasur mundësinë të kishin të drejta të barabarta me burrat, me djemtë, me vëllezërit e baballarët”, – tha Rama.

“Pa politikë s’do kishim SHBA e BE. Pa politikën nuk do të kishim arritur të kishim Shqipërinë e lirë dhe demokratike. E pra politika është shumë e rëndësishme dhe të thuash unë s’merrem me politikë, dhe të thuash unë s’dua t’ia di për politikë dhe që s’dua t’i dëgjoj as zërin, as erën, bënë një gabim të madh”, – tha Rama.

“Ndërkohë politika do ti dhe s’do ti, politika merret me ty. Sepse ndërkohë, ti dhe familja jote ndikoheni drejtpërdrejt nga vendimet që merr politika, nga sjelljet e politikës. Sepse në ndërkohë, çdo gjë, jashtë pragut të shtëpisë ndryshon për mirë apo për keq në varësi të politikës”, – tha Rama.

“Pa politikën Shqipëria nuk do ishte sot duke bërë vaksinimin masiv. Nëse vaksinimi masiv do të ishte diçka që ndodhte vetvetiu, do ishin duke e bërë të gjithë. Nuk është e rastësishme që Shqipëria po e fiton luftën ndaj armikut të padukshëm, edhe më shpejt se plotë të tjerë, që janë më të mëdhenjtë e më të fortë nga Shqipëria dhe ndërkohë rreth nesh në vendet fqinje akoma përpëliten, sepse akoma se kanë mundësi ta fillojnë vaksinimin  masiv. Është politika që po arrin këtë rezultat. Është politika që po arrin rezultatin e paimagjinueshëm të rikthimit në shtëpi të familjeve që u goditën nga tërmeti. Po të mos ishte politika, do kishim mbetur rrugëve. Nëse politika nuk do kishte qenë e duhura, do kishin mbetur rrugëve”, – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.