Plani i Veprimit 2021-2025/Ahmetaj: Kredi me interesa të ulëta dhe trajnim për stilistë e grafistë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Tiranë, Arben Ahmetaj zhvilloi sot takime pranë disa sipërmarrjeve, nga ku shpjegoi planin e veprimit të forcës politike që ai përfaqëson në mandatin e tretë.

“Unë jam mik sipërmarrjes dhe plani i veprimit i Partisë Socialiste shkon në zemër të ndërmarrjeve”, iu drejtua Ahmetaj punëtorëve të një fabrike fason, të cilët kryejnë disa procese pune për marka të njohura ndërkombëtare.

“Brenda planit të veprimit, PS për kompani si kjo planifikon skema garancie që sigurojnë kredidhënien me interes të ulët, në mënyrë që bizneset të kalojnë në ciklin e mbyllur të prodhimit. Po ashtu planifikohet mbështetje financiare për trajnimin e stilistëve apo grafistëve, në mënyrë që të ulim kostot për kompanitë fason. Sot kompanitë fason në Shqipëri paguajnë 20-30 mijë euro një stilist, ndërsa qeveria përmes Planit të Veprimit merr përsipër trajnimin e tyre duke ia kursyer biznesit këtë kosto”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se “kur ata votojnë për Partinë Socialiste realisht kanë votuar për të ardhmen”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.