Pjesë e paketës së investimeve/ Shqipëria, eksportuese neto e energjisë

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Në paketën e madhe të investime të huaja dhe publike është edhe energjia.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama, sot nga Dibra ku theksoi se “energjia ishte një problem shumë i madh për ne, por sot, ne kemi arritur në një nivel tjetër. Por nuk kemi arritur majën, që është ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë”.

“Kjo do të thotë që Shqipëria të mos blejë më energji asnjë euro nga jashtë, por vetëm të shesë, ndërsa ka siguruar sasinë për konsum të brendshëm. Dhe kjo është e mundur pasi po ndërtohet dhe HEC-i i Skavicës”, – tha ai.

Kanë ardhur këtu, vijoi Rama gjatë fjalës së tij, zëdhënësit e qoftëlargut, që thonë se Skavica do t’ju marrë tokat.

“Çdo familje që do të preket nga ndërtimi HEC-it të  Skavicës do të ketë po atë që u prekën familjet nga tërmeti, që do të thotë se, do të marrë një shtëpi shumë më të mirë se ajo që ka dhe patjetër që për pjesën e tokës do të kompensohet ashtu siç e meriton dhe do t’i jepet perspektiva e një jete shumë herë më e mirë se perspektiva që ka atje në atë zonë”, theksoi Rama.

“Se ne nuk i bëjmë gjërat që të fitojnë disa dhe të humbin disa dhe për mua halli i çdo njeriu të zakonshëm, është halli im”, – deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.