“Përjashtojmë nga taksa për 5 vite, të gjithë ata që kryejnë investime të reja në agropërpunim”

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se për nxitjen e potencialit bujqësor në vendin tonë, “synojmë të përjashtojmë nga taksa për 5 vite, të gjitha ata që kryejnë investime të reja në agropërpunim”.

Gjatë takimit sot me banorë në Dibër, Rama theksoi se “sot prodhimi bujqësor vendas është rritur por ne i kemi mundësitë të bëjmë shumë më tepër”.

“Ne do të vendosim që të mos kemi taksë për 5 vitet e para, për çdonjërin që investon në agropërpunim”, – tha Kryeministri.

Këtu në Dibër, vijoi ai gjatë fjalës së tij, janë disa agropërpunues ndër të cilët është i famshëm ai që bën lëngun e mollës.

“E pra ka shumë mundësi më tepër dhe hapja e kësaj rruge nuk do të thotë se është hapur një treg por është hapur një hapësirë e pafundme  për zhvillim ekonomik familjar, për zhvillim ekonomik përmes punës, zhvillim komunitar”, – u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.