Pas fitores së 25 prillit gati të bashkëpunoj me Bashën, me kushtin që të distancohet plotësisht nga Berisha e Meta

TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pas fitores së 25 prillit është gati të bashkëpunojë me Lulzim Bashën, me kushtin që të distancohet plotësisht nga Berisha e Meta.

Në një intervistë televizive nga Rruga e Arbrit, Rama tha se “në 26 prill jam i gatshëm të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën dhe Lulzim Bashën, por ka një kusht të thjeshtë”.

“Lulzim Basha duhet të ndahet qartësisht nga Ilir Meta dhe Sali Berisha për të transformuar njëherë e mirë një jetë politike në Shqipëri, që me konvulsionet e saj është kthyer në një stres për shqiptarët. Bashkëpunimi ngushtësisht do të thotë si një bashkëpunim në vendet që ne duam të arrijmë dhe t’u ngjajmë. Nuk flas për gjëra konkrete se ne do të fitojmë zgjedhjet dhe do të kemi shumicën dhe nuk do të kemi një problem të kësaj natyre, por në emër të shumicës unë jam shumë i gatshëm të shkoj përtej politikës së këtyre viteve dhe të angazhohem që politika e ardhshme të jetë 100 % në dispozicion të projektit ekonomik, të mirëqenies shqiptare, dhe as 1 % e fokusuar te vetvetja, te politikanët, jo te konfliktet dhe idiotësisë”, tha Rama.

Por ai tha se “Lulzim Basha duhet që ta thotë nëse është i gatshëm të ndahet plotësisht dhe qartësisht prej tyre”.

Rama tha se “e vërteta e madhe është që Lulzim Basha është një kukull, një dhëndër i zbukuruar për të dalë në fushatë duke fshehur ata që ka rreth e rrotull dhe tërësisht i kontrolluar nga këta të dy”.

“Janë këta të dy pushteti real dhe kërcënimi real. Lulzim Basha nuk është kërcënim për demokracinë, por për faktin se sa herë është provuar ka treguar se është i paaftë të qeverisë. Lapsuset e tij të bëjnë për të qeshur, por nuk rë bëjnë për të qeshur kur me të njëjtën lehtësi firmos një marrëveshje që i jep një pjesë territori vendit tjetër, që kur rri në krye të një dikasteri dhe vriten 4 vetë në bulevard dhe del në krye të dikasterit tjetër dhe humbin qindra-milionë euro apo kur Tirana filloi të degradonte. Nuk ia vlen të humbasim kohë më tutje. Nuk ia vlen të merremi kaq shumë. Saliu, Iliri dhe Monika janë kërcënimi real”, tha Rama.

Lidhur me ndërprerjen e fluturimeve në aeroportin e Rinasit, Rama tha se “nuk ka asnjë pikë dyshimi që pas asaj ngjarje ishte Ilir Meta”.

“Jo, nuk them asnjë informacion nuk ka lidhje me asnjë klasifikim. Mjafton të njohësh Ilir Metën dhe është shumë i qartë qëndrimi i tij dhe çfarë pamë më vijim ishte thjesht një provë. Informacionet e klasifikuara janë punë e prokurorisë, jo të miat”, tha Rama.

Rama tha se “nuk besoj se ka shqiptar të arsyeshëm që ka ndonjë dyzim që Ilir Meta nuk është as kundërshtari im politik, por është pozicionuar kështu. Por nuk është problem Ilir Meta në kuptimin e ngushtë të fjalës, as e keqja e madhe e vendit, por Ilir Meta është një personalitet i degraduar totalisht që ka degraduar totalisht institucionin e lartë ku ai vazhdon qëndron dhe që faktikisht çdo gjë që bën, çdo ditë tregon vetëm përshkallëzim të këtij degradimi”.

I pyetur nëse i trembet një skenari dhune, Rama tha se “unë nuk i trembem asnjë gjëje,  unë i trembem vetëm Zahos dhe vetes”.

Lidhur me deklaratat e Metës se ishte gati të sakrifikonte edhe fëmijët e tij, Rama tha se, “nuk është një problem politik, por qartësisht i natyrës psikologjike për të mos thënë psiqike”.

Duke iu referuar sondazheve, Rama tha se “nuk do të kemi asnjë detyrim për të zgjedhur të tjerë si rezultat i numrave. Kjo është pak por e sigurt. Do të kemi vota të mjaftueshme për të qeverisur. Ne nuk do marrim 71 vota, por 74-78 mandate”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.