Paketë masive investimesh/ Shqipëria të bëhet e ardhmja e çdo të riu dhe të reje

TIRANË, 14 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se jemi gati për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër.

“Më vjen jashtëzakonisht mirë që fillimi i këtij muaj përkoi me një moment jashtëzakonisht optimist kundër luftës së armikut të padukshëm dhe kështu u bë e mundur që jo vetëm të shtyhet ora policore, por shumë më e rëndësishme, kështu bëhet e mundur që bashkë me përfundimin e muajit të Ramazanit ne të dalim me një tjetër nivel në luftën kundër armikut të padukshëm”, tha Rama.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që ju të bëni çdo përpjekje me ata që keni rrotull të moshës tuaj për t’ju thënë se vota ka një vlerë të madhe, vota ka lindur dhe është kaq e rëndësishme pikërisht se ka një vlerë kaq të madhe.

“Kush thotë të kundërtën nuk kupton asgjë dhe bie viktimë e asaj të keqeje që thuhet se ndodh, kur ti fatin tënd ua delegon të tjerëve atëherë mos u qaj nëse fati yt është i keq, sepse e kanë vendosur të tjerët për ty që të jetë kështu dhe ata nuk votojnë mbajnë përgjegjësi për faktin se lenë që ata të cilët nuk e meritojnë të kenë më shumë shanse”, tha ai.

Në vijim, Kryeministri Rama tha se “jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm kur realisht jemi gati për të bërë një kërcim të madh përpara, jemi gati  për të bërë të mundura gjëra që deri dje ishin komplet të pamundura, jemi gati që me një paketë masive investimesh të hapim për Shqipërinë porta të reja nga qielli, nga deti dhe ta bëjmë Shqipërinë një vend shumë më të vizituar dhe më të  vizitueshme duke krijuar shumë më tepër shanse për ata që jetojnë këtu që të përfshihen në këtë transformim të madh”.

“Jemi gati që rritjen ekonomike mos ta shohim më si një rritje ekonomike që nuk i thotë asgjë një pjese të konsiderueshme të popullsisë, por si një rritje ekonomike bashkë, si një rritje ekonomike që fuqizon jo vetëm Shqipërinë, por që fuqizon çdo familje, që furnizon çdo vajzë dhe djalë që jeton në një familje e cila beson te puna, e cila fiton përmes punës dhe e cila është gati të punojë dhe më shumë për të fituar dhe më shumë. Jemi gati për ta bërë këtë kapërcim. Jemi gati për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër. Jemi gati për të shkuar drejt asaj pike ku Shqipëria të bëhet e ardhmja e çdo të riu dhe të reje  si një shtëpi e përbashkët ku vajzat dhe djemtë e këtij vendi, ku im bir i vogli nesër, kur të rritet dhe pak të mos jetë krenar vetëm për historinë e lavdishme, natyrën e magjishme, për traditën e familjes së vet, pro të jetë krenar për shtëpinë e përbashkët të shqiptarëve dhe pastaj të vendosë vetë nëse do të qëndrojë apo do të provojë një eksperiencë tjetër, por ama në asnjë mënyrë të jetë i detyruar të largohet, sepse në atë shtëpi nuk ka vend për të. Përkundrazi, ne do ta bëjmë Shqipërinë një shtëpi të përbashkët ku ka për secilin një vend, ku të jetë gur i rëndë, vend i rëndë në shtëpi të vet, sepse Zoti na ka falur gjithçka. Ne sot kemi bërë aq shumë punë, sa mjafton për të parë se e kemi vënë themelin e fortë vetëm se duhet durim dhe këmbëngulje për të vazhduar të ndërtojmë shtëpinë tonë të  përbashkët”, tha ai.

Rama shtoi se “nuk jemi ende në fazën që kemi hedhur çatinë, prandaj ka plot e plot probleme dhe halle, por jemi duke e ndërtuar dhe të shkojmë në 25 prill dhe të ndërtojmë rrugë është njësoj sikur të fillojmë nga e para t’i vëmë kazmën themeleve, siç ia kemi vënë herë të tjera”.

“Pyesni prindërit tuaj, por ata të cilët vijnë sot t’u kërkojnë votën janë po ata të cilët ishin therë, ku njëfarë Rrapush Xhaferri dilte nëpër rrugë me makina, karvan makinash, me bori me muzikë dhe e prisnin nëpër rrugë turma njerëzish me këngë dhe me valle. Ky Rrapush Xhaferri ju premtonte njerëzve lekë. Thoshte, ti më jep një, unë të jap dy dhe ti rri, s’ke nevojë të punosh, jam unë këtu për ty, mjafton ti më jep një lek dhe unë të jap dy pas dy javësh. Sa njerëz ranë pre e kësaj marrëzie? Sa njerëz ranë pre e tundimit për t’i rënë shkurt? Sa njerëzit ranë pre e idesë se mund të shisnin bagëtitë e tyre, mund t’i shisnin shtëpitë e tyre të vjetra dhe me Rrapush Xhaferrin të mos kishin nevojë të punonin tokën, mos kishin nevojë të milnin lopën, mos kishin nevojë fare të mendonin se si do të hidhni një kat tjetër për djalin apo vajzën që do martohej, por t’i bënin lekët pak nga pak, por shumë shpejt, aq shumë sa të jetonin të gjithë si të pasur. Çfarë ju erdhi mbrapa? Ishte e tmerrshme për ta, e tmerrshme për Shqipërinë. Me jep një të jap dy dhe në fund morën dy gishtat në sytë. U qorruan të tërë, u rrethuan nga flakët që i vunë vetes dhe Shqipëria e tëra u përvëlua dhe iu desh një dekadë për të rimarrë veten”, tha ai.

Rama shtoi se “nuk kemi më kohë për të humbur dhe aq më pak nuk është e mundur që në vitin 2021 të biem pre e këtyre recetave çudibërëse se do na vika një parti e do na vika një tabor, një krushqi që do na e bëkan jetën rrafsh, që do na bënkan jetën fushë me lule atyre që janë me ndihmë ekonomike, do ua bëkan jetë fushë me lule vajzave dhe djemve dhe do ju mbankan këtu në Shqipëri duke ju dhënë lekë. Noc Rrokun do ju japin. Por Noc Rroku ku ta gjesh, se me Noc Rrokun dhe mund të qeshësh, pro do ju japin një farë Noc Rroku që të mos ta mblidhni veten për vite të tëra. Dhe ju këtu në Mat e keni shumë të thjeshtë. Janë po ata që Matin jua morën votën çerekshekulli me radhë. Çfarë bënë në Mat? Nëse më merrni për dore dhe më tregoni këtu një shkollë, një kopsht, një çerdhe, një kënd lojërash, një fushë futbolli që ua bënë për 25 vite, atëherë do filloj të mendohem dhe të them se keni njëfarë të drejte. Po s’ka! Ndërkohë nuk ka nevojë t’ua tregoj se e sa shkolla, kopshte, çerdhe, hapësira publike, rrugë, sa kanale vaditës dhe kullues janë vënë në punë që kurë qeveria jonë dhe bashkia e Mati janë bërë bashkë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.