“Nëse voton Luçianon, ke një mik në universitet”, Balla: Kandidati i Bashës premton nota në provime në këmbim të votës

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas publikimit në media të një denoncimi të bërë nga një studente në Elbasan mbrëmjen e djeshme në një emision investigativ.

Në videon e publikuar nga emisioni STOP dëgjohet një nga punonjëset e stafit të kandidatit të PD në Elbasan Luçiano Boçi, e cila ka telefonuar një studente dhe e fton të votojë Luçiano Boçin, pasi sipas saj Luçiano është pedagog në universitet: “Nëse voton Luçianon, ke një mik në universitet”.

Balla deklaroi se kërcënimet e kandidatit të Lulzim Bashës, që premton nota në provime në këmbim të votës, tregojnë qartë vesin e vjetër dhe të pakorrigjueshëm të Partisë Demokratike në marrëdhënie me arsimin.

Sipas Ballës, kur PD ishte në pushtet mbështeste krijimin e universiteteve “kioska”, të cilat prodhonin diploma që bliheshin me para, sot kandidati i Lulit shet provime në këmbim të votave.

“Denoncimi i emisionit investigativ “STOP” lidhur me kërcënimet e kandidatit të Lulëzim Bashës, që premton nota në provime në këmbim të votës, tregon qartë vesin e vjetër dhe të pakorrigjueshëm të Partisë Demokratike në marrëdhënie me arsimin. Kur ishin në pushtet mbështetën krijimin e universiteteve “kioska”, të cilat prodhonin diploma që bliheshin me para. Sot kandidati i Lulit shet provime në këmbim të votave. Turp! Ne do të mbështesim studentët e intimiduar të denoncojnë dhe kallzojnë penalisht këtë akt korruptiv elektoral. I bëjmë thirrje Drejtësisë, ta hetojë plotësisht këtë rast flagrant”, shprehet Balla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.