Mjeku Pilaca: Vaksinimi i rëndësishëm, 50 % e popullsisë ka arritur imunitetin e tufës

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Shqipëria është pranë imunitetit të tufës nga COVID-19, kjo për shkak se një pjesë e madhe e popullsisë e kanë kaluar sëmundjen dhe pjesa tjetër po imunizohet përmes procesit të vaksinimit.

Mjeku infeksionit, Arben Pilaca gjatë një interviste televizive theksoi se deri tani 50 % e popullsisë e kanë arritur imunitetin e tufës.

“50 % e popullsisë e ka arritur imunitetin e tufës. Që të mbyllet një pandemi ky imunitet duhet të shkojë rreth 70-75 %. Besoj se nga qershori do jemi më të dashur me njëri-tjetrin, të bëjmë aktivitete më afër seç i kemi bërë. E them këtë duke u bazuar tek numri i popullsisë të prekur, numrit jo të vogël të vaksinimeve i cili ka shkuar deri në 12 %, gjithashtu dhe klima”, tha Pilaca.

Mjeku gjithashtu theksoi se procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e popullsisë pasi sipas tij është e vetmja armë për të luftuar me këtë virus.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.