Me përfundimin e Urës së Vashës dhe me ndihmën e bajpasit të Murrizit, i gjithë aksi i Rrugës së Arbrit është i lidhur


TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në Urën e Vashës në Rrugën e Arbrit, një nga urat më të larta në Shqipëri.

Rama tha se “me përfundimin e kësaj ure dhe me ndihmën e bajpasit të Murrizit, tanimë i gjithë aksi i Rrugës së Arbrit është i lidhur”.

“Edhe pak durim dhe ëndrra 100-vjeçare e dibranëve do të jetë realitet i prekshëm nga të gjithë”, siguroi Kryeministri.

Rama tha se “rruga shkurton ndjeshëm distancat, edhe pse nuk është përfunduar akoma, për të ardhur deri këtu duhen vetëm 52 minuta”.

“Nga Maqellara ka edhe një segment tjetër që duhet bërë. 10 kilometra që duhet ta bëjmë edhe atë patjetër. Projekti është gati. Plus është një panoramë fantastike”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “dy rrugë do të jenë panoramë shqiptare në dy natyra të ndryshme, rruga e Lumit të Vlorës dhe kjo. Janë komplet gjë tjetër, është rrugë shumë turistike”.

“Ura e Vashës është spektakël”, tha Rama, ndërsa u informua nga përfaqësuesi i kompanisë së ndërtimit se për t’u vënë në qarkullim komplet Rruga e Arbrit duhet edhe 1 muaj e gjysmë.

Ura e Vashës, me gjatësi 152 m, e cila kalon mbi lumin Mat cilësohet si më e larta në rajon. Ajo lidh dy tunelet T5 dhe T6 në dy shpatet e malit.

Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralele në të dyja anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.

Ura e Vashës bashkon arterien e Rrugës së Arbrit që lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.