Mandatin e tretë nisim betejën e madhe për të sjellë universitetet e huaja në Shqipëri

TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ “Mandatin e tretë nisim një tjetër betejë të madhe, betejën për të sjellë universitetet e huaja në Shqipëri dhe për ti integruar me universitetet publike”, deklaroi sot nga Burreli, Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me të rinj të Burrelit, Rama tha se “synimi ynë mandatin e tretë është të kemi programe të njëjta në çdo universitet me programe që merrem në një universitet në Itali, Greqi etj.”.

“Të rinjtë të mos thonë më pse të shkoj të futem kur aty nuk e marr të gjithë atë që është shpërblim i mundit tim, po shkoj jashtë shtetit. Pasi atje kushton më tepër për ta e për Shqipërinë. Ndërkohë nëse këto programe janë këtu, më të mirët kanë dy zgjedhje: mund të shkojnë jashtë shtetit, por ama kanë edhe zgjedhjen të shkojnë në cilindo universitet dhe të marrin aty diplomën që vlen, po ashtu si diploma jashtë shtetit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “kjo nuk mund të bëhej më parë me gjithë ato universitete private fantazma nëpër këmbë. Gjërat duan kohën e tyre dhe kohës i marrim kohë jo duke premtuar çudira, por vetëm duke punuar çdo ditë e më fortë, duke këmbëngulur, duruar dhe duke mos harruar kurrë se ngjitja është e vështirë”.

Kryeministri u ndal po ashtu te reforma në arsim, ku siç tha ai, “kemi gjetur male librash të shkruara nga lloj-lloj kopjacësh me një program tekstesh alternativë dhe me një korrupsion të përbindshëm në sistemin e prodhimit të librave”.

“Sot një fëmijë nga Mati, Kalaja e Dodës, Konispoli, nga çdo cep i Shqipërisë që shkon në shkollë ka librin e Oxford, Cambridge, Pearson. I kemi dhënë një sistem krejt tjetër arsimimi, një metodologji krejt tjetër, një tjetër organizim të ngarkesës mësimore”, tha Rama.

“E kishit menduar se mund të shkonit në universitet me rezultatet tuaja dhe të mos kishte fëmijë ministri, deputeti që ju kalon në renditje? Sot kemi ndërtuar një sistem i gjithi online, transparent, konkurrues, meritokratik dhe nuk mund të preket se lë gjurmë”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.