Mandati i tretë për të konsoliduar reformat/ PS punon për mandatin e 20-të në Tiranë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ “Partia Socialiste i llogarit të sigurta 19 mandate në Tiranë, ndërsa po punon edhe për mandatin e 20-të“, u shpreh kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Tiranë, Eduard Shalsi, i renditur i 18 në listë.

Gjatë një interviste në medie, Shalsi deklaroi se jemi afër mandatit të 20-të, dhe kjo e ndihmuar edhe nga sjellja e papërgjegjshme e opozitës, ku ai veçoi rastin e Rinasit.

Shalsi theksoi se mandati i tretë i Partisë Socialiste është i rëndësishëm për vijimin me reformat.

“Ky mandat na duhet për të vijuar rrugën e reformave të shumta që kemi marrë përsipër të ofrimit të shërbimeve dhe ofrimit për sipërmarrësit shqiptarë të një perspektive shumë më të mirë se deri tani. Mandati i tretë do të vijojë me reformat, do të konsolidojë ato dhe do të fusë Shqipërinë në një rrugë pa kthim, ku çfarë është realizuar të mos zhbëhet më sikundër ka ndodhur”, deklaroi ai.

Shalsi komentoi edhe fushatën e opozitës të cilën e cilësoi si kaotike, të ç’organizuar dhe pa vizion.

“Është e habitshme se si i gjithë qëndrimi i opozitës, qasja e saj me Lulin, Monën, Ilirin e Saliun përballë pandemisë tregon më së miri se sa të ç’organizuar, kaotikë e pa vizion janë. Të tillë kanë qenë kur kanë qeverisur dhe të tillë janë edhe në opozitë ndaj shqiptarët nuk meritojnë të qeverisen nga ata”, tha Shalsi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.