“Ia dolëm me rindërtimin pas tërmetit dhe vaksinimin masiv”/ Shqipëria e ardhmja jonë duke mos rënë pre e atyre që premtojnë çudira

TIRANË, 14 prill/ATSH/ “Kur ia dolëm të jemi sot në pjesën më të lartë të klasifikimit mes gjithë vendeve të Europës për vaksinimin masiv ne patjetër që mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me qytetarë të Dibrës, në Peshkopi.

“Kur ne arritëm t’ia dalim edhe kundër tërmetit, edhe kundër armikut të padukshëm, kur ne arritëm t’ia dalim edhe pa qenë një vend i fuqishëm, edhe pa qenë një vend i BE-së, edhe duke qenë këtu në mes të Europës në një lagje shtetesh që na lanë pa vaksina, të jemi sot në pjesën më të lartë të klasifikimit mes gjithë vendeve të Europës për vaksinimin masiv, ne patjetër që mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, ne mund t’ia dalim ta transformojmë më tutje jetën e njerëzve, të njëri-tjetrit duke qenë të bashkuar, duke mos rënë pre e atyre partive, politikanëve dhe gjithë atyre që flasin e flasin e që premtojnë çudira”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kush ju thotë, më jep një të jap dy, nuk ka asnjë shans t’ju japë asgjë tjetër përveç se Noc Rrokun”.

Më tej Rama u shpreh se, “çfarë na ka ndodhur në historinë tonë ne shqiptarëve sa herë kemi shkuar pas berihajit, sa herë që kemi besuar tek ilaçet çudibërëse tek recetat magjike, sa herë që na ka dalë dikush dhe na ka thënë hajdeni se do t’i biem këtej se do t’iu çojmë në parajsë. Hajdeni t’i biem këtej se jeta do të bëhet fushë me lule, hajdeni t’i biem këtej dhe bërtasim duam babës, se gjithçka baba do e bëjë për ju”.

“Nuk po flas këtu për një histori që i përket të shkuarës së largët, por flas këtu për një histori e një shumice të madhe që i pashë kur kalova për të ardhur deri këtu. E atyre që nuk ishin fëmijë kur një farë Rrapush Xhaferri bridhte rrugët e Shqipërisë në autokolona me makina, me bori, me britma dhe ndalonte nëpër rrugë ku dilnin e prisinin, e prisnin me këngë e valle. Çfarë ju thoshte Rrapush Xhaferri unë erdha t’ua bëj jetën fushë me lule. Unë erdha t’u garantoj një të ardhme që është ajo që ju shikoni në ëndrrat tuaja, ju më jepni një unë ju jap dy dhe jeta është qejf”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “për fat të keq Rrapush Xhaferri, Vehbiu, Sudja, për shkak të udhëheqjes qorre, pa vizion, pa din e pa iman, të atyre që sot duan të kthehen përsëri iu morën shqiptarëve gjithçka, i bënë shqiptarët që të shesin bagëtitë, që të braktisin tokën, të futen në borxhe për t’iu dhënë më shumë që të merrnin dyfishin. Më jep një të jap dy dhe në fund të dy gishtat në sy, i qorruan shqiptarët i bënë të gdhihen të rrethuar nga flakët, që i ndezi ajo marrëzi, nga flakët që i ushqeu ideja krejt e gabuar se mund të ngjitesh në majë duke mbyllur sytë, duke ndaluar dhe duke pritur të gjendesh në majë për shkak të një mrekullie”.

“Nuk ka asnjë mrekulli që të ngjit drejt majës përveç një force të vetme që bën çdo mrekulli, punës. Nuk ka asnjë mrekulli që të ngjit drejt majës përveç guximit, vendosmërisë, durimit, dhe bindjes se për të shkuar drejt majës duhet kohë, karakter, të mos dorëzohesh. Kur mendja thotë ndalo se nuk mundem më. Ne kemi bërë shumë rrugë deri këtu. Ne nuk patëm vetëm pandeminë ne na ra edhe fatkeqësia e një tërmeti katastrofik, e cila la pa çati dhjetëra-mijëra familje, por shokoi çdo familje shqiptare”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.