Gjiknuri: Meta ka marrë përsipër rolin e opozitës, do të provokojë një 1997-të

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri deklaroi se, “presidenti Ilr Meta është kthyer më tepër si lider politik i opozitës në Vlorë, pasi ka marrë përsipër të mbrojë edhe të drejtat e PD dhe të LSI duke hedhur tutje “ kostumin” e presidentit dhe po flet si një përfaqësues i opozitës”.

Në një intervistë në media, Gjiknuri theksoi se ende se kemi të qartë se me çfarë roli vjen Presidenti në Vlorë.

“Me çfarë duket, Presidenti Meta alias kryetari i LSI-së është kthyer më shumë si një lider politik i opozitës vendore këtu në Vlorë. Pra, është kthyer në një lider lokal të opozitës sepse ka marrë përsipër të mbrojë të drejtat e PD dhe LSI. E ka hedhur tutje kostumin e Presidentit dhe po flet si një përfaqësues i opozitës në bazë, në Vlorë. Unë kështu do ta lexoja. Përsa i përket akuzave që ai bën, siç duket ka hallin e partisë së tij por pa dashje bën pis të gjithë njerëzit e tij. Po ua mohon atyre edhe atë kontribut që ata mund të kenë bërë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata pak njerëz sepse unë e kam thënë që në Vlorë LSI nuk përfaqëson asgjë. Kanë filluar tani me akuza për tradhëtar, jo vetëm nga LSI por edhe nga PD. Pra, sikur e gjithë opozita në Vlorë na qenka shitur e na qenka blerë dhe ka ardhur ky shpëtimtari nga Tirana për t’i nxjerrë nga bataku ku kanë rënë”, tha Gjiknuri.

“Ilir Meta nuk e njeh mentalitetin vlonjat. Ai mendon se vlonjatët janë një popull që mezi presin të vijë Ilir Meta të hedhë shkrepsen si mbi barut e ata të që ndizet. Ai do të provokojë 1997, por ta dijë mirë që ‘97 nuk do të ndodh në Vlorë. Qytetarët vlonjatë i kanë sytë nga zhvillimi. Nuk është Vlora që ai mendon që do të rrëmbejnë armët. Vlora është qyteti ku ka ndodhur një transformim i madh në këto vite”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, Vlora mezi po pret të përfundojë procesin zgjedhor në mënyrë të qetë pasi ne nuk kishim problem, por erdhi ky dhe shpik problem.

“Kur nuk flet opozita e Vlorës, vjen ky nga Tirana dhe tregon ku jeni ju, pse s’keni gjetur ju shqetësime dhe erdha unë t’jua zbuloj”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri tha se, “më vjen keq për presidentin e vendit që katandiset në këtë pikë që të instalohet në Vlorë të marrë përsipër rolin e opozitës dhe të lerë pozicionin e mandatuar nga Kushtetuta”.

Gjiknuri iu ktheu përgjigje edhe akuzave për rënien dakord për bashkimin e mandatit nga ana e Luan Ramës me PS pas zgjedhjeve.

“LSI ka një kryetar de jure që është Monika Kryemadhi. Këto akuza duhet të vinin nga kryetarja e asaj partie. Problemet e besnikërisë me njerëzit që bashkëpunon duhet ta zgjidhë në familjen e vet”, tha më tej Gjinkuri.

Njëkohësisht Gjiknuri reagimet e presidentit Meta i lidhi edhe me deklaratën e tij se nëse fiton PS do të jepte dorëheqjen nga roli i Presidentit.

“Si duket po e vë “shishen” i pari në radhë për të marrë drejtimin e opozitës më 26 prill”, deklaroi ai.

Gjiknuri theksoi më tej se LSI nuk përfaqëson alternativë për Vlorën.
Lidhur me ftesën e Presidentit Meta për një takim, Gjiknuri tha se jam këtu për të komunikuar me qytetarët e Vlorës.

“Nëse presidenti deklarohet se ai është lideri i opozitës në qarkun e Vlorës, do të shkel edhe rregullat që ka vendosur partia për tu përballur me të në debat”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri sqaroi edhe deklaratat për takimet e kreut të shtetit në Vlorë.

“Unë kam informacion për shumë gjëra çka ndodhin në Vlorë. Megjithatë, nuk dua të përdor mediat për të ndarë informacione të tilla. Një gjë është e sigurtë, se të gjithë e dinë se çfarë bëhet në Vlorë, të gjithë e dinë kë takon Presidenti dhe çfarë synimesh ka. Një gjë dua ta them që ai nuk përfaqëson më Presidencën. Është përfshirë thellë në politikë. Më vjen keq sepse nuk do të arrijë asnjë rezultat por përkundrazi, do të cënojë rëndë figurën e tij. Prapë e them, nuk më vjen mirë sepse e respektoj institucionin e Presidencës së shtetit tim. Ky është qëndrimi im dhe unë do të sillem si gjithë vlonjatët e tjerë, për Vlorën do të vazhdojmë të punojmë, do të bëjmë fushatën tonë të qetë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Gjiknuri tha se personalisht refuzon retorikën e dhunës, dikujt mund t’i duket dobësi, por shtoi ai, mendoj se populli shqiptar është lodhur nga retorika e sharjes.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.