Forcimi i kapaciteteve të Gjykatës/ Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha nënshkruan sot, një memorandum mirëkuptimi për të forcuar bashkëpunimin për përmirësimin e kapaciteteve të Gjykatës në përmbushjen e detyrave të saj në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Ky është një moment i rëndësishëm, pasi finalizojmë një bashkëpunim të Gjykatës Kushtetuese me Prezencën, që ka nisur prej disa kohësh, udhëhequr nga qëllimi i përbashkët për të forcuar ndërtimin e shtetit të së drejtës, për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe në respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ky memorandum shërben për forcimin e kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese me qëllimin final respektimin e misionit të Gjykatës Kushtetuese: garantimin e epërsisë së Kushtetutës në vendin tonë”, tha Tusha në ceremoninë e nënshkrimit.

Del Monaco tha se nënshkrimi i memorandumit është dëshmi e vijimësisë së bashkëpunimit afatgjatë mes Gjykatës Kushtetuese dhe Prezencës. Ai shtoi se partneriteti me Gjykatën Kushtetuese është përparësi e Prezencës, për shkak të rolit specifik dhe thelbësor që luan Gjykata Kushtetuese në sistemin ligjor të Shqipërisë për promovimin e plotë të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut.

“Prezenca është aty ku është zemra e shqiptarëve dhe shqiptarët po ndjekin me shumë vëmendje e respekt veprimtaritë e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, ne punojmë së bashku për funksionimin dhe efikasitetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Del Monaco.

Në vitin 2020, Prezenca e ndihmoi Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kapaciteteve të saj, me synim hartimin e një strategjie institucionale afatgjatë, si edhe e mbështeti me literaturë profesionale.

Ndihma për Gjykatën Kushtetuese është pjesë e projektit të Prezencës “Mbështetje për përparimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, i cili financohet edhe nga “Konrad Adenauer Stiftung” në Shqipëri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.