Fidel Ylli: Humba nënën nga COVID-19, nuk pata mundësi ta vaksinoja por sot po ua japim të gjithëve

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Deputeti Fidel Ylli tha sot se duke vaksinuar popullin kemi mundësinë t’i zgjasim jetën njerëzve dhe pensionistëve.

Gjatë një takimi në Bërxull, bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj, Ylli rrëfeu histori personale kur tha se “në muajin nëntor pata dhe unë një fatkeqësi në shtëpi”.

“Humba nënën time. Nuk pata mundësi t’i bëja vaksinën. Tashmë ne po iu japim mundësi nënave dhe pensionistëve të tjerë që të kenë jetë akoma më të gjatë, sepse jeta është e para”, u shpreh Ylli.

Më tej Ylli foli përmendi tërmetin dhe pandeminë si dy prej shtyllave të programit të socialistëve.

“Partia Socialiste është forca më progresive e vendit, ne kemi bërë shumë reforma, në arsim në sport drejtësi, administratë, policim financa e tj, por ju do të thoni ne na duhet zona jonë ta bëjmë më rrugë, dritë, ujë, kopsht, çerdhe dhe me një fushë sportive se të rinjtë kanë nevojë të luajnë e të zhvillojnë aktivitetin e tyre fizik në terrenet sportive që mungojnë në këtë zonë”, – tha Ylli.

Sipas tij, PS në program të saj ka vazhdimin e reformave dhe nuk ka as kohë për të humbur, as për pushim.

“Në kuadër të rindërtimit Vora do të bëhet një qytezë europiane. Rindërtimi në Vorë ka filluar pavarësisht vonesave që kemi pasur në këtë bashki. Por ne shumë shpejt do të fitojmë kohën e humbur”, – tha Ylli.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.