Dëshmi njerëzore – Të moshuarit futen në banesën e re/ Rama: Ju gjendëm pranë atyre që pas tërmetit humbën strehën


TIRANË, 14 prill/ATSH/ Mijëra qytetarë që humbën strehën ose u dëmtuan rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019, janë tashmë në shtëpitë e reja të rindërtuara në kuadër të Programit të Rindërtimit.

Kryeministri Edi Rama solli sot dëshminë e dy të moshuarve nga Maminasi, Shaqir dhe Nurie Herri, të cilët nuk u lanë në mëshirë të fatit, por janë futur tashmë në banesën e re.

“Mirëmëngjes dhe me zemrën plot nga gëzimi që ju gjendëm pranë atyre që pas tërmetit humbën strehën, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Shaqir Herri, i paralizuar, tregon se kur ra tërmeti, në pamundësi për të lëvizur, ndenji në krevat, bashkë me gruan duke pritur që lëkundja të mbaronte.

Ai falënderon qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për shtëpinë e re, për të cilën tha se u ndërtua në kohë rekord.

“Na ra tërmeti, na dëmtoi jashtë mase, na frikësoi jashtë mase, unë jam i paralizuar. Kemi ndenjur në strehë, njeri nuk kishim. Punëtorët që solli shteti e sheshuan vendin dhe e bënë gati, shumë faleminderit prej shtetit, na thanë që do e bëjnë shtëpinë shumë shpejt dhe e bënë dhe unë sot jam këtu. Madhështore. Këtë që e ka bërë Edi Rama, nuk e bën dot kush”, tha ai.

Bashkëshortja e tij, Nurie Herri, tha se pas tërmetit, ata kishin fjetur jashtë, por me ndërtimin e shtëpisë së re, thotë se ndihet sikur ka rilindur.

“Plakut i thashë mos lëviz, se ai nuk ecën dot, i thashë vër jastëkun në kokë. Në darkë pastaj kemi ndenjur përjashta, mora një krevat portativ dhe e vura plakun aty. Kisha frikë se mos këputej soleta dhe na binte, se mure pa hekur ishin ato. Shumë faleminderit shtetit, sikur kemi lindur për së dyti, shyqyr që kemi futur kokën brenda”, tregoi ajo. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.