COVID-19 – Polonia zgjat kufizimet, presioni mbi kujdesin shëndetësor ende problem

VARSHAVË, 14 prill /ATSH-ANSA/ – Polonia do të zgjasë masat e saj ekzistuese ndaj koronavirusit sepse presioni i fortë mbi sistemin shëndetësor ende vazhdon, deklaroi ministri polak i Shëndetësisë, Adam Niedzielski.

“Qëllimi është të minimizohet barra në infrastrukturën spitalore… veçanërisht te personat nën ventilim”, theksoi Niedzielski në një konferencë shtypi.

Që nga e mërkura, numri i njerëzve që trajtohen në spitale ishte mbi 33 900, ku 3 500 persona duhet të marrin frymë në mënyrë artificiale.

Si pasojë, rregulloret anti-Covid-19 të lëshuara në fund të marsit do të zgjaten me një javë, deri më 25 prill.

Qendrat tregtare do të qëndrojnë të mbyllura, ashtu si parukeritë dhe sallonet e bukurisë./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.