“Basha premton vetëm lekë, lekë, lekë”/ Rama: Kush beson tek puna, sigurisht do fitojë dhe lekët

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Basha flet vetëm për lekë, ndërsa ai flet vetëm për punë dhe kush beson tek puna, sigurisht do fitojë dhe lekët.

Duke folur në një takim me qytetarët në Dibër, Rama tha se, “fëmijët nuk votojnë, por ama për fëmijët votojmë ne. Çfarë vote do t’i japin shqiptarët në 25 prill fëmijëve? Për të dhënë 1 dhe për të marrë 2? Nuk ka ndodhur kurrë të japësh 1 dhe të marrësh 2 duke ndenjur në kafe. Nuk ka ndodhur kurrë të ngjitesh në majë duke fjetur gjumë”.

Dhe, theksoi Rama, “mos harroni asnjëherë, nuk është Luli”.

“Luli është një artist. Është një artist. Jo, vetëm një artist mund t’i bëjë edhe atë që del dhe thotë ‘do ta marrim pushtetin me dhunë’, të gjuajë me molotovë. Edi Rama do dorëzohet. Do shkatërrojmë zgjedhjet. Do kapim kutitë. Nuk do lëmë të votohet. Do bëjmë namin. Do bëjmë këtë. Dhe vetëm një artist kthehet dhe thotë, “unë s’kam asnjë asgjë, unë thjesht jam këtu për ju. Unë ju shoh në sy. Më shihni në sy. Po ju thashë që e mbaj fjalën, e mbaj. Siç iu thoshte në Tiranë, kur doli për kryetar bashkie. E dini si iu thoshte? Futej në furrat e bukës, iu thoshte, “unë ju ul çmimin e bukës’. Më shihni në sy. Unë do t’ju bëj tramvajin e Tiranës. Do ikni me tramvaj, pse të ikni me autobusë? Ata të shkretët kishin hall, se në autobusë po plasnin. Unë do jua heq të gjitha taksat. Unë do ju jap lekë. E keni dëgjuar kur thotë, kaq mijë euro atyre që martohen. Me një fjalë ju vetëm martohuni, për lekët keni Lulin. Ju vetëm martohuni”, u shpreh Rama.

Ndërkohë që, shtoi Rama, “në kohën e tyre dhe në kohën e këtij kur ishte kryetar bashkie, e vura unë në ‘kohën e qepës’ 50 mijëlekëshin e parë për një fëmijë që lind. Jo vetëm që mbeti 50 mijë lekë, por nuk ia jepnin më kalamajve. Ne sot e kemi 400 mijë për fëmijën e parë, 800 mijë për të dytin, i treti 1 milion e 200 mijë. Edhe kush pastaj është aq i fortë sa t’i bëjë tre përnjëherë, llogariteni vetë se çfarë merr. Kurse ky thotë, çuna atje, ju martohuni, Luli ju mban me lekë”.

“Këtyre iu thotë, çfarë bëni ju merreni me biznes të vogël. Ne ia kemi bërë zero taksën. Zero. Zero taksën, zero tvsh-në. Edhe unë po mendoja. Thashë ore ku do shkojë ky, si do bëjë. E gjeti do iu japë të gjithëve nga 1 mijë euro. Po pse t’i japësh nga 1 mijë euro atyre që merren me biznes? Atyre hiqi taksën. Atyre mos i vërë atë pullën. E keni parë kur ju thotë do ju vë pullën e kuqe tek dyqani? Për çfarë do ta vërë pullën e kuqe, që të vijnë ato që do vërë Xhelali tek tatimet të marrin pastaj një nga një bizneset të thonë ku është pjesa ime. Se atë dinë të bëjnë”, tha Rama.

“Po kur thotë juve që punoni, po vuani shumë, ju i keni të larta sigurimet shoqërore. Do jua ulim. Kurse ju pensionistëve do jua rrisim pensionet. Domethënë pensionet mbahen me sigurimet shoqërore. Domethënë ky i thotë, ne do ta ulim prodhimin e qumështit, po do rrisim prodhimin e djathit. E dini ju sesi bëhet kjo? Hë more çuna, ju që hani djathë, e dini si bëhet kjo? Apo ju s’e keni marrë vesh akoma që djathi bëhet nga qumështi?! Kjo bëhet me sapun. Sapunin për djathë, kush ta hajë le ta hajë. Sapunin për djathë”, theksoi Rama.

“Dhe gjithmonë, kudo në botë, e di kur e kanë ngrënë njerëzit, kur kanë besuar që lekun ta falin. Kur kanë besuar ata politikanë që thonë do t’ju jap lekë ty. E keni dëgjuar Lulin vetëm për lekë flet: lekë, lekë, lekë, lekë, lekë, lekë, kurse unë ju them: punë, punë, punë, punë, punë, punë. Kush beson se do marrë lekë, as lekë s’ka për të marrë, as punë s’ka për të zgjidhur. Kush beson tek puna, sigurisht do fitojë dhe lekët”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.