Basha në familjen e dëmtuar nga tërmeti: Specialistët, jo politikanët do ta drejtojnë rindërtimin

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar dy familje në zonën e Paskuqanit, të cilat nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë nga shteti për shtëpitë e prishura nga tërmeti.

Kryefamiljari Jetmir Mizaj, tha se përveçse nuk kanë shkuar për t’ia vlerësuar shtëpinë, bashkia ia ka hequr edhe bonusin e qirasë për dy muaj. Kjo gjë e ka detyruar atë të kthehet në shtëpinë e shkatërruar. Ai gjithashtu u shpreh se bonusin ia kanë rikthyer prapë që kur ka filluar fushata elektorale.

Basha tha se ndryshimi më 25 prill është e vetmja zgjidhje për të gjithë familjet e dëmtuara nga tërmeti. Ai u zotua se qeveria e ardhshme do të bëjë dhe një herë rivlerësimin e banesave dhe përshpejtimin e procesit rindërtimit. Ndërsa për familjet që kanë banesa private, kreu i opozitës tha se paratë do t’u jepen drejtpërdrejt familjeve pёr ndërtimin e banesës.

Basha gjithashtu shpjegoi se si do të mbështeten familjet që vuajnë papunësinë dhe studentët që vijnë nga familje me pamundësi ekonomike.

“Në qoftë se më 25 prill nuk ka ndryshim, mos mendo që atë që s’e bënë dot për një vit apo për 8 vite, do ta bëjnë për 4 vite ata. E para e punës, do të bëjmë vlerësim transparent sa herë që ju kanë rënë në qafë. E dyta, për familjet si tuajat, paratë në dorë sipas vlerësimit transparent se s’ka nevojë të bëhet tender për shtëpinë tënde. Dhe e treta, do të garantojmë përshpejtimin e rindërtimit kudo që ka ndodhur, në fshat dhe në qytet”, theksoi Basha.

“Interesi ynë do tё jetë qё tё gjithё shqiptarët, gjithё familjet shqiptare tё dëmtuara nga tërmeti brenda kohës mё tё shkurtër tё keni banesat e tyre mё tё reja. Ata qё i kanё private apo nё zona nё fshat do t’i japim drejtpërdrejt paratë qё meritojnë pёr ndërtimin e banesës dhe nuk do tё bёjmё burokracira. Juve ju ra njё fatkeqësi natyrore. Shteti pas 25 Prillit do tё zhdukë çdo burokraci, do tё ekspozojë dhe do tё çojë para ligjit çdo zyrtar qё ka bёrё korrupsion me rindërtimin, do vlerësojë çdo dëm ashtu siç ёshtё realisht, se kam shumë denoncime qё e kanё bёrё DS1, DS5 dhe do mundësojë përshpejtimin dhe  përfundimin nё kohë rekord tё rindërtimit”, u shpreh Basha.

“Ne vijmë me një plan konkret për t’ju ndihmuar, në radhë të parë, për t’ju ardhur në ndihmë emergjente ju që jeni edhe pa punë edhe pa shtëpi. Në radhë të dytë, për të krijuar kushtet ekonomike që të keni punësim e të keni të ardhura normale, për të siguruar mbijetesën, mundësisht një normalitet për ju dhe për fëmijët tuaj. Dhe e treta, për t’i hapur një perspektivë fëmijëve tuaj, që të kenë mundësi edhe të arsimohen edhe të kenë vende pune kur të rriten. Me ne goca jote, fëmijët e tu dhe fëmijët e çdo shqiptari do të shkojnë atje ku duan të studiojnë, pavarësisht prej pamundësive tuaja ekonomike. Ne e kemi bërë planin. E para e punës, që tarifat për familjet që kanë më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj të ardhura do të jenë të paguara nga shteti. E dyta, për ata që janë në vështirësi ekstreme ekonomike do t’ju paguhet edhe një bursë, pra bursa sociale për 5000 studentë në vit. Dhe në këtë mënyrë as fëmijët tuaj dhe as fëmijët e asnjë familje që duan të studiojnë, por që familja s’ka mundësi t’i mbështetë nuk do ngelen pa studiuar”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.