Bardhi në Gramsh: Bilanci i qeverisë pas 8 vitesh, sulme ndaj opozitës

TIRANË, 14 prill /ATSH – I. Vata/ Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi, u takua me banorë të Sotirës në Gramsh.

Bardhi vuri në dukje se gramshiotët janë trajtuar nga qeveria si një listë e gatshme votash, që nuk i ka marrë ata kurrë seriozisht për të realizuar premtimet e për të dhënë llogari. Ndaj, ka ardhur koha jo vetëm për rrotacion, por për ndryshim të modelit të qeverisjes.

Bardhi tha se rilindja, jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim po bëri krejt të kundërtën në ato fusha ku kishte dhënë fjalën për lehtësim për qytetarët, duke sjellë shtrëngim e vështirësi.

“Na premtoi të gjithëve bashkë, jo vetëm juve këtu, por i premtoi çdo shqiptari mrekulli në 2013-ën, shëndetësi falas, arsim falas, ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë, uljen e çmimit të naftës, subvencione në bujqësi, çfarë nuk tha. Në fakt na varfëroi sepse na rriti çdo gjë, na rriti çmimin e energjisë elektrike, na rriti çmimin e naftës, na rriti tatimet dhe taksat aq sa sot, ju te fatura e ujit ose e energjisë elektrike, edhe pse nuk keni rrugë e prisni që të bjerë niveli i lumit për të ikur në shtëpitë tuaja apo për t’u lidhur me Gramshin”, tha Bardhi.

Drejtuesi politik për Elbasanin theksoi se Edi Rama, duke qenë se nuk ka një bilanc pas 8 vitesh, merret gjithë kohës me sulme ndaj opozitës.

“E vetmja gjë që thotë është se: isha në pushtet 8 vite, nuk bëra asnjë gjë, tani më duhen edhe katër vite të tjera. Çfarë po bën ky në kulmin e fushatës…. Ky po bën vetëm dy gjëra… ky del në televizor dhe thotë e patë si i kishte krehur flokët Lulzim Basha dhe merret gjithë ditën me thashetheme dhe merret me ne, a thua sikur jemi ne në qeveri”, u shpreh ai.

Ai shtoi se kjo betejë nuk është me socialistët e ndershëm që janë mashtruar e nëpërkëmbur njësoj si demokratët, por është një betejë për të ndryshuar modelin e qeverisjes, dhe për këtë duhet të bashkohen të gjithë me 25 prill.

“Plani jonë është i thjeshtë, kemi marrë përsipër vetëm pak angazhime, ato që ne do t’i realizojmë, nuk kemi hapur një thes e kemi futur brenda çdo gënjeshtër që na vjen për mbarë, çfarë të na dalë para themi e bëjmë ne, sa për t’u marrë votat, por kemi qenë realist dhe kemi bërë një plan që i vjen në ndihmë njerëzve dhe i mundëson të kthehen në normalitet. E ka thënë Lulzim Basha, por po e përsëris edhe unë këtu, nëse një nga angazhimet që kemi marrë përsipër nuk e realizojmë, demokrati më i flaktë i fshatit nuk duhet të na japë votë. Vetëm kur të bëhemi të gjithë bashkë dhe të kuptojmë që nuk ka ndasi politike kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë, vetëm atëherë do të jemi më mirë”, deklaroi Bardhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.