Zero taksa, zero TVSH për të gjithë sipërmarrësit e vegjël

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në takimin me banorë të njësisë 1 në kryeqytet se Shqipëria është e atyre njerëzve që hapin dyqan, që hapin sipërmarrje, që krijojnë punë dhe punësojnë edhe të tjerët.

“Dhe këtë Shqipëri ne do ta mbështesim me të gjithë forcën e shpirtit dhe mendjes. Për këtë Shqipëri ne do të japim gjithçka që t’u krijojmë mundësi të reja këtyre shqiptarëve, pa parë në lista se janë socialistë apo demokratë, ua kemi bërë taksën zero, TVSH zero”, theksoi ai.

“Unë e përsëris çdo ditë: zero do të jetë taksa, zero do të jetë TVSH për të gjithë ju sipërmarrës të vegjël që krijoni punë për vete dhe punë për të tjerët”, – tha Rama.

Ai theksoi se “në këtë Shqipëri ku Zoti na i ka falur të gjitha që na duhen, në këtë vend kaq të vogël që i ka të gjitha, detin, malin, pyjet, lumenjtë, peizazhin fantastik borën, diellin ne duhet ta bëjmë të ardhmen tonë. Atë që kemi nisur do ta bëjmë deri në fund, ta bëjmë Shqipërinë një vend që të vizitohet nga aq shumë njerëz, që këtu të mos ketë jo njerëz që nuk kanë punë, po të mos ketë pjesë të këtij vendi ku njerëzit me punën e tyre, të venë në majë të malit duke hapur shtëpinë e derës së stërgjyshërve dhe të fitojnë më shumë se çdo punë në emigracon. Kjo është e mundur dhe ne mund ta bëjmë”.

“Na duhet forca e karakterit tonë, na duhet besimi, durimi dhe koha, ndaj më 25 prill duhet të vazhdojmë t’i marrim kohës kohë që ta bëjmë Shqipërinë vendin e të ardhmes sonë”, – deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.