Xhafaj, takim me banorë në Synej: Me fitoren e PS-së më shumë projekte, zhvillim dhe punësim

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kandidati i PS në qarkun e Tiranës, Etjen Xhafaj zhvilloi sot një bisedë në Bago të Synejit, Kavajë, me socialistët e rinj dhe të vjetër.

Xhafaj u shpreh se “marrëdhënia që kemi Partia Socialiste e Kavajës, bashkia dhe ju do të na mundësojnë një fitore e cila do të na çojë ballëhapur dhe sigurisht të gatshëm për të kërkuar edhe më shumë projekte edhe më shumë mundësi zhvillimi, punësim dhe të ardhme për fëmijët tanë”.

“Dhjetë vjet më parë Kavaja ishte e mbytur në pluhur, pa ujë, ndonjëherë me drita. Mendoni programi i PD-së ishte të rikthenin fabrikat e vjetra kolektive. Dhjetë vjet më vonë Kavaja është një qendër turistike për gjithë Shqipërinë dhe më tej”, – tha Xhafaj.

Sipas tij, Kavaja është qytet që funksionon, punon dhe gjithë infrastruktura bazë është duke u ndërtuar, ka shkolla dhe shtëpi të reja.

“Asnjë që bie nuk e kemi lënë pa i dhënë dorën, as ata që u dëmtuan nga tërmeti nuk i kemi paragjykuar nëse janë të majtë apo të djathtë, njerëz që s’kanë votuar kurrë. As kur ndodhi pandemia nuk pyetëm nëse ata pleqtë e vetmuar ishin të majtë apo të djathtë. Ajo që bëmë ishte që të gjithë kishim mundësinë e ushqimit dhe ilaçeve, mos të ngelej asnjë në baltë”, – theksoi Xhafaj.

Xhafaj tha se “në fund të ditës nuk ka një Shqipëri të socialistëve dhe një të demokratëve, ka vetëm një Shqipëri dhe ajo është e shqiptarëve. Edhe tani që po ndodh vaksinimi nuk ka të majtë e të djathtë, ka shqiptarë që vaksinohen, pavarësisht se kujt partie i japin votën”.

Më tej Xhafaj u shpreh se “nëse do të kishte një ofertë të mirë nga opozita edhe ne do të thoshim votoni për ata, sepse në fund të ditës përveç karriges të ngelen fëmijët, e ardhmja, arsimi, rrugët, qyteti që rritet e zhvillohet përditë. Por ata nuk kanë, janë e njëjta listë e lodhur që ka qenë tre herët e fundit në garë, ata që janë tërhequr nga çdo sfidë”. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.