Vaksinimi masiv/ Çdo ditë mijëra gjyshe e gjyshër po lehtësohen nga ankthi i tmerrshëm i pandemisë

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “çdo ditë gjyshërit dhe gjyshet po buzëqeshin, sepse po lehtësohen nga ankthi i tmerrshëm i mungesës së lëvizjes për shkak të pandemisë së virusit Sars-Cov-2, që i mbajti për rreth një vit të mbyllur.

“Askush, dy muaj më parë nuk e imagjinonte se do të vinim në situatën kur gjyshërit e gjyshet do të ishin çdo ditë duke buzëqeshur. Çdo ditë mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë buzëqeshin, sepse lehtësohen nga ankthi i tmerrshëm”, tha Rama gjatë turit elektoral në Librazhd.

Këto, theksoi ai, janë arsyet pse njeriu kur është i përkushtuar me mish e shpirt në një detyrë kaq të rëndësishme e mision kaq të madh, me një privilegj kaq të jashtëzakonshëm që të jetë në krye të njerëzve i thotë vetes rezisto, vazhdo, ec përpara, duro, beso e puno, se do t’ia dalim.

“Se përndryshe, pa këto momente, që sado të tmerrshme janë edhe ato moment që sprovojnë karakterin e njeriut e e vënë para sfidës që duhet fituar. Dhe pa këto momente, kur ti përballesh me sfida të tilla dhe arrin t’ja dalësh, çfarë shpërblimi tjetër do të kishte të qëndroje në këtë pozicion, të merrje baltë, sharje, shpifje, akuza, pak gjë do të kishte. Dhe unë dua t’u them se me të njëjtin intensitet, përkushtim vëmendje që unë rri mbi kokë gjërave në moment të tilla, i rri mbi kohë edhe çdo halli e problemi të kujtdo që arrin deri te unë“, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.