Të rinjtë shqiptarë të “armatosur me dije”/ 25 Prilli forcë karakteri edhe për arsimin dhe kolegjet profesionale

TIRANË, 13 prill /ATSH/ “Të rinjtë shqiptarë që provojnë fatin e tyre jashtë vendit nuk mund të lihen pa mbështetje, por ato duhet të provojnë shanset e tyre me dinjitet dhe duhet të ndërmarrin këtë rrugë të “armatosur me dije””.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Përrenjas, tha se për të arritur këtë objektiv duhet forcojmë kolegjet dhe arsimin profesional.

Sipas tij, për të mbërritur tek qëllimet që duam, duhet forcë karakteri të cilën Partia Socialiste dhe të gjithë shqiptarët e kanë dhe që duhet ta vendosim në dispozicion të këtij vendi më 25 prill.

“E kuptoj shumë mirë sa e rëndësishme është të vazhdojmë me arsimin profesional, kolegjet profesionale. Nuk është mëkat që një vajzë apo djalë të shkojnë në një vend tjetër  për të krijuar një perspektivë për veten dhe për të provuar një shans për veten. Por unë dua që dhe kur të largohen të rinjtë shqiptarë të kenë një zanat me vete, të jenë të armatosur me dije dhe me aftësi dhe të kenë atje një vend të denjë dhe të mos bien pre e trafikantëve. E atyre që edhe njëherë tjetër nga e para rrjepin familjet e tyre për t’i lënë më pas rrugëve pre e rrjeteve kriminale”, – tha Rama.

“Nuk është e lehtë, s’ka qenë kurrë e lehtë. Dhe ato vende që ne i shohim me admirim kanë ardhur këtu ku janë, me shumë punë, me shumë durim, me shumë besim, me shumë  këmbëngulje,  janë ngjitur edhe kur lodhja i ka thënë ndalo. Kanë vazhduar dhe kur lodhja u ka thënë pusho. Janë sforcuar dhe ja kanë dalë dhe kur lodhja u ka thënë ktheu mbrapa. E pra, 25 prilli është një provë force e karakterit tonë, e karakterit shqiptar, e karakterit shqiptar për të cilin flasim, flasim e flasim. E karakterit për të cilin i admiroj këngët e historitë tona, e karakterit të cilin e dëgjojnë vazhdimisht në familje që fëmijë, nga prindërit, gjyshërit, gjyshet. E karakterit që duhet ta provojmë se e kemi dhe se jemi të gatshëm ta vëmë në dispozicion të këtij vendi në 25 prill”, – nënvizon Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.