“SPAK ka filluar të japë shenja të rëndësishme”/ Një pjesë e murit të pandëshkueshmërisë është shembur

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, SPAK-u ka filluar të japë shenja të rëndësishme.

Në një intervistë televizive, ai u ndal tek ecuria e Reformës në Drejtësi dhe pse nuk ka ende të hetuar me profil të lartë duke theksuar se, “unë jam i pari që e vuaj faktin, por njëkohësisht jam shumë i vetëdijshëm dhe kam qenë që në ditën e parë që nuk do të ketë, nuk do të ketë deri kur të pastrohet komplet sistemi dhe sistemi po vazhdon të pastrohet dhe kur institucionet e reja të jenë vendosur mirë në pozicionet e tyre”.

“SPAK-u ka filluar të japë shenja të rëndësishme, por janë ende shenja. Kështu që kush mendonte se mjaftonte që ne të bënim një punë kolosale, realisht, dhe të vendosnim gurin e themelit për sistemin e ri të drejtësisë dhe të gjitha ndryshimet që bëmë në ligj dhe pastaj mjaftonte ta fillonim Vetingun për të parë të futeshin në burg ata të cilët meritojnë në fakt, të ndëshkohen, sa hap e mbyll sytë, kanë menduar gabim, sepse ky është një proces”, tha Rama.

“Unë jam shumë dakord që është stresuese, jam shumë dakord që është sfilitëse, por kjo është rruga. Dhe pikërisht se nuk i kemi bërë këto gjëra më parë na ka çuar në këto 7 vite e kusur, se unë numëroj çdo ditë që kam hyrë në zyrë dhe në zyrë kam hyrë në fund të shtatorit të 2013-ës, kemi nisur t’i bëjmë gjërat për së mbari. Bërja e gjërave për së mbari dhe vendosja e bazave për së mbari, patjetër që kërkon kohën e vet. Sikur të ishin bërë këto reforma 20 vite më parë sot nuk do diskutonim ne a hyri, a s’hyri se do kishin hyrë e do kishin dalë”, theksoi Rama.

“Kjo është një sfidë që vazhdon sigurisht, sepse një pjesë e murit të pandëshkueshmërisë me thënë të drejtën është shembur. Për sa kohë është goditur kasta e më të korruptuarve, se kasta më e korruptuar në Shqipëri nuk janë politikanët. Kasta më e korruptuar në Shqipëri janë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Sepse pjesërisht janë akoma; sepse nuk është pastruar komplet; sepse jo vetëm që ishin të korruptuar dhe janë të korruptuar, por edhe nuk merrej njeri me ta, edhe nuk i ngacmonte njeri, se ishin tamam një korporatë peshkaqenësh atje që lundronin mbi kokat e gjithë shqiptarëve dhe shisnin dhe blinin drejtësinë. Dhe ka akoma të tjerë sot që shesin dhe blejnë”, theksoi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.