Ruçi me banorë në Krutje: Duke i dhënë mandatet e duhura PS-së, i jepni stabilitet atdheut tonë të përbashkët

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht drejtuesi politik i PS në qarkun e Fierit si dhe kandidat për deputet në këtë qark, zhvilloi një takim me banorët e Krutjes.

“Në Krutje, ku flet historia, puna dhe djersa e njerëzve të thjeshtë: Ju faleminderit juve, që duke qenë vetë kaq punëtorë, vlerësoni e votoni gjithmonë Partinë Socialiste, që mbron punën dhe njerëzit e punës”, theksoi Ruçi.

Ai u shpreh se, “partitë politike duhet të krijojnë një edukatë politike që jo të mbjellin e të mos korrin. Pra të mbjellin ditën që kërkojnë votën edhe të mos raportojnë asnjëherë për atë votë që kanë marrë. Dhe i themi ballëhapur këto ishin detyrat tona të shtëpisë këto i bëmë, këto s’i bëmë”.

“3 dekada kemi folur për të gjitha problemet. Lidhur me çmimin e naftës dhe të inputeve të bujqësisë që ende s’ka filluar të japë efektin drejtpërsëdrejti në koston e prodhimeve tuaja, në marzhin e fitimit, të mundit dhe të djersës tuaj. Ja pse duhet ky mandat që ky plan pune të bëhet realitet”, tha Ruçi.

“Atëherë në 25 duhet vajtur të marrim pjesë të gjithë që të votojmë pikërisht për këtë program pune, për këto detyra shtëpie që duhet të ketë kjo mazhorancë”, tha Ruçi.

“Keni dy alternativa, një alternativë virtuale që flet për gjithçka dhe premton për gjithçka pa bërë asnjë hesap, asnjë projekt, asnjë preventiv dhe pa pasur asnjë financim. Nga krahu tjetër keni një alternativë që thotë kjo po, kjo jo”, tha Ruçi, i cili bëri apel për pjesëmarrje në ditën e votimit.

“Ju lutem shumë i jepni vetes shansin që duke i dhënë mandatet e duhura PS-së, i jepni stabilitet atdheut tonë të përbashkët”, tha Ruçi.

Ruçi zhvilloi takim edhe me banorët e Bubullimës.

“Mirënjohje për banorët e Bubullimës. Votën tuaj për Partinë Socialiste e kemi shndërruar në rritje të prodhimit dhe të ardhurave tuaja”, tha Ruçi.

“Nga nafta pa akcizë, në naftën pa taksa dhe falas për fermerët. Së shpejti, ujë të pijshëm 24 orë për gjithë fshatrat e njësisë”, theksoi Ruçi.

Ruçi zhvilloi takim edhe me banorët e Kolonjës së Lushnjës.

Ruçi tha se, ata me punë të palodhur stolisin fushat e kodrinat dhe rrisin të ardhurat e tyre.

“Lushnjën e bëmë prodhuesen, përpunuesen dhe eksportuesen më të madhe të prodhimeve bujqësore në vend”, theksoi Ruçi.

“Rrisim eksportet bujqësore nga 400 milionë USD që ishin në vitin 2020, në 1 miliard USD në 2025”, u shpreh ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.