Publikohet në Fletoren Zyrtare/ Marrëveshja i hap rrugën zyrtarisht furnizimit me vaksinën “Sputnik V”

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Marrëveshja ndërmjet “Human Vaccine” LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën “Sputnik V”, të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit Gamaleya për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjinë në Rusi është publikuar në Fletoren Zyrtare, çka i hap rrugën zyrtarisht qeverisë shqiptare për t’u furnizuar me këtë vaksinë.

Sipas vendimit të publikuar, marrëveshja për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga “Human Vaccine” LLC nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.

Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit e të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.

Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës antikovid, të përcaktuara në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për furnizimin e vaksinës kundër Covid-19 “Sputnik V”, të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit Gamaleya për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjinë në Rusi, furnizuar për Shqipërinë nga “Human Vaccine” LLC, sipas kushteve të tekstit të marrëveshjes bashkëlidhur këtij akti normativ.

Më 5 prill, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu informoi se është arritur marrëveshja për të sjelllë në Shqipëri 50.000 doza të vaksinës “Sputnik” brenda muajit prill.

Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2021.

Prej fillimit të këtij muaji ka nisur zyrtarisht vaksinimi masiv i popullsië dhe autoritetet kanë marrë angazhimin që brenda muajit maj të ketë përfunduar vaksinimi i më shumë se 500 mijë qytetarëve.

Në vend po përdoren vaksinat “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Sputnik V” dhe “Sinovac”.

Ndërkohë në Shqipëri në 22 mars mbërritën 10 mijë doza të vaksinës “Sputnik V”, dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në bazë të kontratave të lidhura deri tani, qeveria ka firmosur për 500 mijë doza të vaksinës “Pfizer”, 500 mijë doza të vaksinës “Sinovac”, 50 mijë të vaksinës ruse “Sputnik V”,  ndërsa ka parapaguar edhe 1 milion e 140 mijë doza përmes mekanizmit të COVAX.

Nndërkohë që synon realizimin e vaksinimit të popullatës brenda 14 muajsh nga nisja e procesit, qeveria ka miratuar Aktin Normativ që lë të hapur kanalet e tjera të komunikimit për sigurimin e vaksinave antikovid. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.