Program investimesh të dakordësuara/ Shqipëria me 4 aeroporte, 4 porte të mëdha turistike dhe 2 porte të reja tregtare

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “duhet të vazhdojmë punën për ta bërë Shqipërinë me 4 aeroporte, me 4 porte të mëdha turistike dhe me 2 porte të reja tregtare”.

Duke folur gjatë një takimi me qytetarë të Njësisë 1 në kryeqytet, Rama tha se, “ne jemi pikërisht në atë moment kur kemi përgjegjësinë e madhe dhe mundësinë e jashtëzakonshme të realizojmë një hap të jashtëzakonshëm dhe të shkojmë në një lartësi tjetër. Të shkojmë në një lartësi tjetër duke pasur sot jo si dëshirë, as si një plan në letër, por duke pasur sot një program investimesh të cilat janë të dakordësuara. Investime të mëdha, të huaja, por edhe investime të brendshme, publike, pa harruar këtu edhe investimet private vendase, paketën më të madhe të investimeve që ky vend ka pasur në historinë e tij”.

“Të vazhdojmë punën për ta bërë Shqipërinë me 4 aeroporte. Për ta bërë Shqipërinë me 4 porte të mëdha turistike. Që nga porti i madh turistik i Durrësit, tek ai i Vlorës, tek ai i Sarandës, që ka nisur nga puna, dhe më pas tek ai i Shëngjinit. Për ta bërë Shqipërinë me dy porte të reja tregtare, një në Durrës dhe një në Vlorë. Dhe për t’i dhënë Shqipërisë një infrastrukturë të atillë që do të sjellë, si asnjëherë më parë, shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër punësim, por edhe krijimin e shumë vendeve të punës të paguara më mirë”, tha Rama.

Sepse, theksoi kreu i qeverisë, “problemi ynë, problemi im, problemi ynë, që duhet çdo ditë e çdo natë të merremi me problemet e njerëzve është pikërisht problemi kryesor i shumëkujt, e veçanërisht i më të rinjve. Jo mungesa e vendeve të punës, por mungesa e vendeve të punës të paguara shumë më mirë, e për këtë na duhet të vazhdojmë të ndërtojmë të gjithë atë zinxhir që kemi nisur ta ndërtojmë me arsimin profesional, me reformën e shkollës, me reformën e universitetit. Do ta vazhdojmë më kolegjet profesionale në mënyrë që në Shqipëri të kemi sa më shumë të rinj që të jenë të profilizuar dhe të specializuar në mënyrë specifike në shumë zanate, për të cilat sot është një nevojë x, por nesër do të jetë një nevojë shumë më e madhe në këtë treg”.

“Në këtë treg ku gjithë këto porta të reja, porta të reja nga deti, porta të reja nga qielli që do hapen, për të sjellë këtu shumë më tepër tursitë, duke sjellë dhe shumë më tepër investime të mikpritjes, të mund të shoqërohen me shumë më tepër njerëz të gatshëm për të mbuluar gjithë ato kërkesa, për profesione nga më të ndryshmet dhe nga më të specializuarat”, tha Rama.

“Nuk flasim këtu për inxhinierë të lartë, nuk flasim këtu për shkencëtarë të lartë, flasim këtu për zanatçinj të mirëfilltë, për zanatçinj që janë më shumë sesa njerëz me një arsim të thjeshtë profesional, por që kanë një arsim shumë më të avancuar profesional sigurisht, përmes kolegjeve profesionale”, theksoi Rama.

“Unë dua, por kjo dua nuk është një dëshirë, kjo dua vjen nga thellësia e shpirtit tim dhe nga thellësia e bindjes time, kam një bindje shumë të thellë që nuk është një dua, se kështu duhet, po është një dua, sepse tanimë është e mundur që dielli i Shqipërisë të mos shkëlqejë vetëm për ata që vijnë turistë. Dielli i Shqipërisë të mos shkëlqejë vetëm për ata që i kanë të gjitha mundësitë ta shijojnë. Por dielli i Shqipërisë të shkëlqejë me nga një rreze, për secilin, kudoqoftë, që beson tek vetja, që beson tek puna, që beson te ky vend që quhet Atdheu ynë”, u shpreh Rama.

/r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.