“Portet e aeroportet kanë munguar për shumë vite”/ Investime që do ta çojnë Shqipërinë në nivel tjetër, sjellin turizëm, shërbime, punësim

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se “ne po krijojmë një masë kritike aeroportesh në funksion të shfrytëzimit të hapësirës sonë për një turizëm që të sjellë më shumë para dhe të ardhura dhe vende pune cilësore, ndaj edhe portet dhe aeroportet janë ato që na kanë munguar për shumë e shumë vite dhe as që mund të imagjinohej që do të ndodhte në këto vite kjo që do të ndodhë deri në fund dhe këto investime do ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër”.

Gjatë një interviste televizive, Rama theksoi se, “aeroportet nuk ndërtohen me lekët e shtetit dhe ata që bëjnë aeroporte nuk janë budallenj që të humbin lekët aty pasi e dinë që kanë të ardhura”.

“Aeroportet duke sjellë flukse shumë më të mëdha njerëzish, sepse sot turistët sidomos turistët që shpenzojnë shumë, jo ata që vijnë me makinë për dy ditë, po ata që shpenzojnë shumë, sjellin më shumë të ardhura”, – tha Rama.

Sipas tij kjo do të thotë se raporti investo 1 dhe fito 23, në rastin e një mesatareje shumë të zakonshme është e provuar nga të gjithë sepse aeroportet sjellin hotele, shërbime, pika trendi etj.

“Aeroporti i Kukësit është një aeroport ndërkombëtar modest nga përmasa dhe është një aeroport që nuk do të ndyshojë ekonominë kombëtare me ndonjë impakt të madh, por do të ndryshojë absolutisht ekonominë e rajonit verilindor të Shqipërisë”, – tha Rama.

Të gjitha këto janë investime private, vijoi ai, por shteti merr përsipër një garanci të arsyeshme të trafikut si në gjithë botën.

Gjthashtu theksoi ai, shërbimet që bën privati në shëndetësi nuk janë shërbime me risk për privatin se privati nuk merr lekë tek njerëzit. “Privati thjesht merr mbrapsht paratë për investimin që bën. Nuk merr lekë nga shërbimi”, vijoi ai.

Rama tha se, shërbimet në sistemin shëndetësor në Republikën e Turqisë, që sot është një nga sistemet më ekselente të botës, që vlerësohet si një mrekulli në skemat e transformimit të sektorëve nga të gjthë ekspertët, është e gjitha nga a tek zh, tek privati për shërbimin publik.

“Kjo do të thotë që shteti i thotë  në Turqi, privatit urdhëro ndërtoje spitalin dhe unë do ta paguaj për 25 vjet dhe ti do ta mirëmbash spitalin dhe unë do të paguaj ty të gjithë mirëmbajtjen. Prandaj është Turqia në atë nivel, sepse në spitalet e Turqisë të gjithë mirëmbajtjen e çdo gjëje që nga materialet, ngrohjen, ndriçimin, ushqimin, pastrimin etj e bën privati, dhe shteti ka vetëm mjekët, infermierët dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me përgjegjësinë për shëndetin e njerëzve”, u shpreh Rama, duke shtuar se ky është modeli i PPP-ve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.