Më 25 prill, të garantojmë vijimin e rindërtimit dhe vaksinimit

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Përrenjas u ka bërë apel qytetarëve që të garantojnë vijueshmërinë e punës së nisur nga Partia Socialiste sa i takon vaksinimit, rindërtimit dhe që dielli i këtij vendi të ngroh këdo, duke qenë ekonomia e këtij vendi në funksion të gjithë secilit.

Rama tha se shqiptarët nuk mund të kthehen mish për top për një dhëndër i cili komandohet nga ata që kemi parë dy herë se çfarë dinë të bëjnë, e që nga taksa 0 që është sot për biznesin e vogël kërkojnë ta çojnë 9 % me taksën e sheshtë.

“Kemi bërë shumë, ka shumë për të bërë, por mos harroni se ka dhe shumë për të humbur. Dhe ka dhe shumë për të humbur për ata që me të drejtë presin më shumë. Ata që me të drejtë presin më shumë, duhet të të garantojnë që gjithçka që kemi bërë nuk do ta marri lumi. Të garantojë. që të këqijat nuk do të kthehen sërish në jetën tonë, duhet të garantojnë që rindërtimi i shtëpive, i lagjeve të reja do të mbarojnë kohë. Të garantojnë që vaksinimi masiv do të mbaroj në kohë, duhet të garantojnë, që jo vetëm, sezoni turistik, por krejt koha përpara të jetë një kohë ku ne së bashku mundemi dhe së bashku do të t’ja dalim. Të jetë një kohë, ku siç e thashë që në fillim, dielli i këtij vendi, të mos jetë i mrekullueshëm vetëm për turistë dhe për ata që kanë më shumë, por dielli i këtij vendi të ngroh këdo, duke qenë ekonomia e këtij vendi në funksion të gjithësecilit.

Ne nuk jemi partia, qeveria dhe forca që rrit taksat për ata që kanë më pak, por rritim taksat për ata që kanë më shumë. Ndërkohë që ata të cilët kërkojnë të rikthehen pas nuk kanë bërë asnjë ndryshim, asnjë reflektim dhe janë po ata përveç se këtë herë kanë vënë përpara dikë që bënë rolin e dhëndrit por që kontrollohet nga ata të cilët i vijnë pas thonë se do të kthejnë taksën e sheshtë. Dhe atëherë unë i them sipërmarrësve të vegjël, po si ka mundësi, taksën sot e keni 0, TVSH e keni sot 0, e doni taksën e sheshtë 9 %, për çfarë? Jeni demokratë, s’po ju them të bëheni socialistë, por ju them që më 25 prill mendoni si shqiptarë, si familjarë, si njerëz që interesin e vendit, interesin e tyre e bëjnë bashkë dhe nuk bien pre e interesave të politikës së njërit apo tjetrit”, – tha Rama.

“Kjo që po bëjë unë nuk është politik, kjo që po bëjë unë është thjesht dhe vetëm thirrja për t’i lënë mënjanë ndasitë, për të lënë mënjanë tifozllëkun e përçarjen dhe për të menduar si ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë, ku fëmijët, mos jenë krenarë vetëm për historinë, për bukuritë e natyrës, për traditën familjare, për mikpritjen, për nënë e për babën, por të jenë krenarë për kushtet e shtëpisë dhe kjo jo vetëm është e mundur, por është e gjitha në dorën tonë. Prandaj, mos ta lejojmë fatin tonë, fatin e këtij vendi, fatin e fëmijëve tanë të kthehet sërish në mish për top në duart e tyre që i kanë dalë në Shqipëri, e thonë se para tetë vitesh ndodhi një aksident. Domethënë, që para tetë vitesh populli lajthiti e i largoi ata nga zyra. E tani kërkojnë popullit të korrigjojë gabimin e para tetë vitesh, çka do të thotë se ata do të përsëritin të njëjtën gjë. I kemi provuar dy herë, dhe populli thotë, përsëritësh të njëjtën gjë duke pritur rezultate të tjera do të thotë të jesh budalla”, – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.