Librazhdi ishte xhep fals vite më parë/ Ne jemi këtu për të vazhduar për të ardhmen e Shqipërisë

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj në Librazhd, këtë të martë, bëri apel për të mos besuar ëndrrat me sy mbyllur, më jep 1 të jap 2, por nënvizoi se është në politikë për ëndrrat me sy hapur të atyre njerëzve që nuk dorëzohen për të arritur majën.

“Pavarësisht se ne nuk jemi të rënë nga qielli, pavarësisht se mes nesh ka lloj-lloj njerëzish dhe si në çdo pyll nuk mungojnë as derrat, ne jemi ndryshe. Ne jemi këtu jo për të ikur, por për të vazhduar. Duke vazhduar në çdo hap për t’i bërë gjithmonë e më shumë shqiptarët, sidomos më të rinjtë, që ta gjejnë këtu të ardhmen e tyre. Për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Është shumë e bukur për ta thënë, është shumë e vështirë për ta bërë. Ne jemi për gjërat e vështira. Ne jemi për punët e vështira”, theksoi Rama.

“Më jep 1 të jap 2. Taulanti foli për çfarë është bërë këtu. Unë s’dua të flas për çfarë është bërë këtu, se këtu është bërë jashtëzakonisht shumë. Librazhdi përpara disa vitesh kur ne erdhëm këtu me Taulantin dhe unë ju thashë na e jepni besimin, na jepni votën dhe do bëjmë për Librazhdin në katër vite më shumë se në të gjitha vitet e marra së bashku, ishte një xhep fals. Ishte një vend këtu, ku nëse e mbani mend, mezi kalohej. Makina, tym, gropa, ishte një vend ku s’merrej dot frymë. Ishte një vend ku nuk kuptoje për çfarë do të vazhdonin njerëzit të rrinin këtu. Ishte një vend ku flisje për biznes, flisje për sipërmarrje të vogla dhe nuk e imagjinoja as vetë sesi kjo do të ndodhte, por në fakt, ishte një vend ku unë kisha, si në çdo vend tjetër, besimin se ëndrra me sy hapur që unë shoh për këtë vend, për të gjithë Shqipërinë, është e mundur, është e mundur…”, – shtoi Rama.

“T’ju them diçka, ju e keni dëgjuar Ermonela Jahon. Ermonela Jaho kur ishte në moshën e shumëkujt këtu, 14-15 vjeç, shkonte në Liceun Artistik për kanto. Nuk ishte ndër më të mirat e grupit. Kishte të tjera që sipas profesorëve dhe profesoreshave ishin më të talentuara. Ermonela Jaho, madje, iu dukej si shumë e çuditshme, gati-gati e marrë, sepse thoshte ‘një ditë unë do të këndoj në “La Scala”’. Ato të tjerat bënë karrierën e tyre, por ju nuk njihni askënd prej tyre, ndërkohë Ermonela Jaho këndon në “La Scala” dhe në të gjithë teatrot e botës, pse? Sepse kishte parë një ëndërr me sy hapur dhe kishte vendosmërinë për të sakrifikuar, për të duruar, për të rezistuar me besim dhe me punë dhe të jashtëzakonshme për të shkuar për ta prekur ëndrrën e vet. Nuk ka një rrugë tjetër për ti prekur ëndrrat që sheh me sy hapur, ndërsa atyre që shihni me sy mbyllur mos i besoni fare, se ato që ju tregon Luli, janë ëndrra që ai i sheh me sy mbyllur. Unë po flas për ato me sy hapur, për ato ëndrra që njerëzit i çojnë në maj. Po flas për ëndrrat që njerëzve u japin të gjitha motivet për të vazhduar atëherë kur mendja të thotë u lodhe. Për të vazhduar kur trupi të thotë nuk mundem më, për të vazhduar atëherë kur zemra më thotë po dal vendit. Për të vazhduar e për të arritur ëndrrën tënde me sy hapur”, – nënvizoi Rama.

“Unë nuk e kam parë në gjumë ëndrrën time me sy hapur kur jam kthyer nga emigracioni në Shqipëri dhe kam vendosur të futem në këtë valle në këtë vorbull në këtë harenë balte, në këtë arenë sherresh, në këtë arenë të mbushur me shejtanër e me shejtanëbudallenj që vijnë vërdallë dhe që i tregojnë popullit lloj-lloj përrallash. Më jep 1 të jap 2. Unë e kam parë atë ëndërr me sy hapur dhe kur kam hyrë në këtë rrugë kam besuar fort dhe sot më besoni, besoj edhe më fort se ditën e parë që jo ky vend bëhet, por që ky vend i bekuar nga Zoti, nga natyra, ky vend me njerëz të zakonshëm që kanë një fuqi të jashtëzakonshme kanë vetëm një pengesë për të kapërcyer, dhe kjo pengesë është muri që i vënë përpara çdo ditë shejtanbudallenjtë sa në një parti, në një parti tjetër”, u shpreh Rama.

“Ka vetëm një gjë për të bërë çdo ditë: për t’u zgjuar herët, për të vijuar me këmbëngulje, për të mos u lodhur, për të ndenjur pa gjumë, për t’u zgjuar përsëri, për të vijuar më me këmbëngulje, për të mos u lodhur, njësoj si ata prindërit tuaj, prindër të disa prej jush këtu, me siguri, çohen në katër të mëngjesit, punojnë tokën, për të sjellë të ardhura në familje. Për të investuar për mësimin tuaj, për të investuar në studimet tuaja, për të investuar në të ardhmen tuaj dhe një ditë të bukur, kur dalin atje, shikojnë çdo gjë përtokë, nga një breshër. Çfarë bëjnë prindërit tuaj, kthehen dhe dorëzohen? Jo! Rikthehen prapë dhe prapë, dhe prapë, dhe prapë, dhe prapë, dhe ia dalin dhe për ata, që sot unë jam këtu dhe për të gjithë si ata që unë jam këtu”, – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.