Kushi në Elbasan: 25 Prilli shënon këmbënguljen tonë të pakthyeshme për Shqipërinë e së ardhmes

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Në një takim të zhvilluar me banorë të lagjes “Haxhias” të Rajonit 5 në Elbasan, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njëherazi kandidate e PS për deputete e qarkut të Elbasanit, Evis Kushi ka shprehur mirënjohjen ndaj tyre për mbështetjen e përhershme ndaj familjes progresiste të Partisë Socialiste.

“Sot, më shumë se kurrë, qytetarët janë plotësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e 25 Prillit, si një datë që ndan njëherë e mirë të shkuarën me të ardhmen e reformave dhe transformimeve rrënjësore në shërbim të qytetarëve!” – shprehet Kushi.

Në fjalën e saj para qytetarëve, Kushi ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste e kanë dëshmuar që nga viti 2013 se punojnë me përkushtim për qytetarët.

“Kemi bërë aq sa kemi mundur, por nuk kemi bërë aq sa kemi dashur për shkak të presioneve të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia”, – tha ajo.

“Mandati i dytë është mandat i prerë në mes. Në fillim tërmeti i 26 nëntorit, ku zona të tëra në vend u dëmtuan shtëpitë, shkollat, qendrat shëndetësore, institucionet. Në një kohë shumë të shkurtër, qeveria shqiptare arriti të sigurojë të gjithë financimin e nevojshëm për të rindërtuar shtëpitë dhe shkollat, të cilat po ndërtohen me standarde europiane, më të mëdha, më të bukura më të forta. Më pas ndodhi pandemia. I gjithë globi u përball me këtë sfidë, me armikun e padukshëm. Përsëri, Edi Rama dhe qeveria jonë tregoi përkushtimin maksimal, tregoi forcën, angazhimin dhe përkushtimin për ta përballuar këtë situatë”, – u shpreh Kushi.

“Këto reforma dhe beteja që kemi nisur për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së, natyrisht kanë nevojë për mbështetjen tuaj, që PS të marrë një mandat tjetër për t’i finalizuar këto procese të rëndësishme, që të vazhdojë procesi i vaksinimit e rindërtimit, të rimëkëmbet ekonomia dhe të rritet mirëqenia sociale, e në fund të muajit maj të kemi mundësi për të çelur sezonin turistik”, – tha Kushi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.