Klosi takim me banorët në Dimal: Berati me 5 mandate në parlament

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste dhe kandidat për deputet në qarkun e Beratit, Blendi Klosi ka vijuar turin e takimeve elektorale me banorë të bashkisë së Dimalit.

“Me njerëzit e jashtëzakonshëm të Dimalit, njerëzit e palodhur dhe më mikpritësit, me të cilët kemi qenë bashkë këto katër vjet, kemi transformuar qytetin e kemi shndërruar në portën dinjitoze hyrëse të qarkut të Beratit”, u shpreh Klosi.

Ai tha se edhe në mandatin e 3-të do të vijojnë së bashku për transformimin e mëtejshëm të Dimalit

“Kam gjithë bindjen se 25 prilli do të na çojë fitues në parlament dhe unë përsëri do të kem nderin dhe fatin të bashkëpunoj dhe punoj me ju dhe të zgjidhim diçka më shumë për këtë qytet që është komplet i transformuar. Investimet në rrugët rurale është një tjetër angazhim i yni. Në mandatin e tretë do të vazhdojmë me investimet në këtë qytet, si realizimi i rrugës së asfaltuar të të gjithë fshatrat e mëdha të bashkisë së Dimalit dhe përfundimi i rrugicave të brendshme të qytetit. Është një Bashki e pasur me njerëz që punojnë dhe zonat rurale që janë zonat më të pasura në Shqipëri ku ka një pol të jashtëzakonshëm investimi, ku vetë fermerët kanë ndërtuar një industri të re në serra”, u shpreh Klosi.

Gjithashtu ai tha se do të mbyllim padyshim ujësjellësit e rinj që po ndërtohen në këtë Bashki duke garantuar 24 orë ujë në zonat rurale.

Ai shtoi se një tjetër investimi është rruga e unazës bujqësore.

“Ata që kemi kundërshtarë nuk kanë guxim që të bëjnë një takim në këtë shesh dhe të tregojnë se çfarë mund të bëjnë, se kush janë, se çfarë parimesh dhe idealesh kanë dhe pse e duan votën, ata që kemi përballë punojnë vetëm natën. Kam disa muaj që bëj fushatë, nuk i kam parë të bëjnë një takim”, tha Klosi.

“Ne do të fitojmë se ne sakrifikojmë dhe punojmë për fitoren, përpiqemi të zgjidhim çdo hall e problem dhe ne do shkojmë me 5 mandate në parlament”, deklaroi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.