Këshilli Europian ka marrë vendimin për çeljen e negociatave/ “Formalizimi i hapave nuk varet as nga unë, as nga kryetari i PD-së”

TIRANË, 13 prill/ATSH/ “Shqiptarët janë të mirëstërvitur me procesin e futjes në Europë dhe tani në shumicë e kuptojnë shumë mirë që futja në Europë në sensin e formalizimit të hapave nuk varet as nga unë dhe as nga kryetari i Partisë Demokratike edhe nga askush tjetër sado që ne këtë mund ta premtojmë, të përbetohemi dhe të luftojmë për këtë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive.

“Ajo që varet nga ne është të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe a i kemi bërë apo jo ka një instancë që e certifikon dhe është Komisioni Europian. Unë këtë gjë e them këtu dhe e kam thënë në çdo instancë, në çdo tryezë me liderët europianë dhe në çdo takim bilateral që kjo është bërë një histori shumë e njohur dhe e qartë”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “në Bashkimin Europian, shtetet që të merren vesh bashkë në të njëjtën kohë duhet të jenë të gjitha bashkë, veç e veç në një situatë komode dhe të mos u duhet që për arsye të një fushate elektorale të bëjnë luftë kundër emigrantëve, që për një arsye të një dinamike të brendshme të thonë që nuk i duam shqiptarët”.

“E kam thënë pa mbaruar zgjedhjet në Holandë ne duhet ta harrojmë formalizimin. Zgjedhjet në Holandë mbaruan të shikojmë çfarë do të dalë nga procesi jo i thjeshtë i formimit të koalicionit. Kryeministri holandez e ka mandatin e katërt pastaj do shikojmë”, – shtoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “për shkak se ne morëm statusin e vendit kandidat ne kemi integruar në procesin e ndërveprimit me BE-në bujqësinë. Ne sot kemi një volum investimesh dhe mbështetje për fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi që është shumë herë më e madhe se më parë, sepse kur erdhëm në detyrë e gjetëm Shqipërinë në vendin e fundit dhe sot është në vendin e parë në rajon për thithjen e fondeve nga BE-ja”.

“Këshilli Europian ka marrë vendimin për çeljen e negociatave. Vendimi është  formalizuar. Në aspektin zyrtar ka vendosur çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Duhet kaluar në fazën që Këshilli Europian të vendosë thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ne duhet të bëjmë detyrat për sa kohë që Këshilli Europian thotë që Shqipëria i ka bërë detyrat të tjerat janë shto ujë e shto miell nga shtete anëtare, një grup deputetësh këtu, një atje”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.